Hoxha: Hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka folur sërish për mundësinë e hapjes së një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës dhe të një konsullate serbe në Shkodër, duke theksuar se çdo vendim do të merret duke mbrojtur interesat e Shqipërisë. Në një intervistë për Top Channel, Hoxha deklaroi se angazhimi diplomatik me Serbinë…

Lajme

02/08/2026 19:18

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka folur sërish për mundësinë e hapjes së një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës dhe të një konsullate serbe në Shkodër, duke theksuar se çdo vendim do të merret duke mbrojtur interesat e Shqipërisë.

Në një intervistë për Top Channel, Hoxha deklaroi se angazhimi diplomatik me Serbinë nuk e ndryshon në asnjë mënyrë qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës.

“Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, tha ai.

Sipas Hoxhës, hapja e një konsullate në Luginën e Preshevës do ta afronte shtetin shqiptar me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve. Ai kritikoi debatin e zhvilluar pas publikimit të kësaj nisme, duke thënë se është përqendruar më shumë te interesat e supozuara të Serbisë sesa te përfitimet konkrete për shqiptarët e Luginës.

Ministri theksoi se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve funksionojnë mbi parimin e reciprocitetit dhe se kërkesa që Shqipëria të hapë konsullatë në Serbi, pa i ofruar Beogradit të njëjtën mundësi, nuk përbën zgjidhje reale.

“Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në rrjetet sociale, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se hapja e konsullatave nuk përcaktohet vetëm nga numri i komunitetit që jeton në një zonë, por edhe nga interesat ekonomike, kulturore, turistike dhe strategjike.

Hoxha konfirmoi se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka kërkuar hapjen e një përfaqësie të tillë në Shkodër. Megjithatë, sipas tij, ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.

Debati për këtë çështje nisi pasi ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, deklaroi se mes dy vendeve ishte arritur një marrëveshje në parim, duke nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri.