Fitorja që mund ta fundos LDK’në
Mbijetesa e Lumir Abdixhikut mund të jetë fitore personale për të, madje edhe për Vjosa Osmanin. Por, dilema kryesore është nëse ai mund ta shndërrojë atë në një mundësi për ta ribashkuar LDK’në apo do të mbahet mend si kryetari që fitoi betejën e brendshme, por humbi gradualisht partinë. Nëse përgjigjja është kjo e dyta,…
Opinion
Mbijetesa e Lumir Abdixhikut mund të jetë fitore personale për të, madje edhe për Vjosa Osmanin. Por, dilema kryesore është nëse ai mund ta shndërrojë atë në një mundësi për ta ribashkuar LDK’në apo do të mbahet mend si kryetari që fitoi betejën e brendshme, por humbi gradualisht partinë. Nëse përgjigjja është kjo e dyta, atëherë ai si fitues i djeshëm mund të rezultojë humbësi më i madh nesër. Bashkë me të, humbëse do të jetë edhe vetë LDK’ja.
Shkruan: Imer Mushkolaj
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës të enjten mbrëma nuk prodhoi ndryshimin që kërkonin kundërshtarët e Lumir Abdixhikut. Kryetari mbijetoi në votëbesim, por rezultati i ngushtë nuk i dha atij atë që i nevojitej më së shumti: autoritet të padiskutueshëm politik. Përkundrazi, ai e bëri të dukshme atë që prej muajsh përflitej – një ndarje të thellë, serioze dhe potencialisht afatgjatë brenda LDK-së.
Në politikë ka fitore që shijojnë si humbje dhe humbje që krijojnë premisa për fitore të ardhshme. Mbijetesa e Abdixhikut mund të jetë fitore personale për të, madje edhe për Vjosa Osmanin, me të cilën ndan afërsi politike dhe strategjike në shumë çështje. Por nuk është e qartë nëse është fitore edhe për LDK’në. Një parti nuk matet vetëm me atë se kush fiton votimin për kryetar, por me aftësinë për të dalë më e bashkuar, më e qartë dhe më e fortë pas një procesi të tillë. Pikërisht kjo mungoi.
Rezultati tregoi se pothuajse gjysma e partisë nuk është e bindur nga drejtimi aktual. Kjo nuk është pakënaqësi e zakonshme, por sinjal politik që nuk mund të relativizohet. Në partitë demokratike debatet janë normale, por kur një kryetar e kalon provën me diferencë të vogël, ai nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Çdo tentativë për ta paraqitur këtë si mandat të fuqishëm do të ishte mashtrim ndaj vetes dhe ndaj anëtarësisë.
Megjithatë, edhe pala kundërshtare e Abdixhikut duhet ta bëjë autokritikën e saj. Pakënaqësia ekzistonte dhe ishte reale, por ajo nuk u shndërrua kurrë në një alternativë të artikuluar qartë. Kritikët e kryetarit folën për nevojën e ndryshimit, por nuk arritën të shpjegojnë bindshëm se çfarë do të ndodhte një ditë pas shkarkimit të tij. Kush do ta udhëhiqte partinë? Me çfarë platforme? Me cilin ekip? Si do të rikthehej besimi i elektoratit? Për këto pyetje nuk pati përgjigje të qarta.
Në politikë nuk mjafton të thuash se dikush duhet të largohet, por duhet të tregosh edhe pse alternativa jote është më e mirë. Pikërisht këtu dështoi grupi i pakënaqur. Ai krijoi përshtypjen se ishte më shumë i bashkuar nga kundërshtimi ndaj Abdixhikut, sesa nga një vizion i përbashkët për LDK’në. Një kauzë që nuk shpjegon destinacionin humb fuqinë për të bindur edhe ata që ndajnë të njëjtën pakënaqësi.
Nga ana tjetër, Abdixhiku nuk mund ta lexojë rezultatin si leje për të vazhduar njësoj. Nëse e bën këtë, konflikti vetëm do të shtyhet. Plagët nuk mbyllen duke shpallur fitore. Ato kërkojnë dialog, përfshirje dhe gatishmëri për të dëgjuar edhe zërat kritikë. Nëse kryetari zgjedh t’i margjinalizojë kundërshtarët e tij të brendshëm ose t’i trajtojë si pengesë që duhet eliminuar, ndarja vetëm do të thellohet.
Pyetja më e rëndësishme tash është nëse Lumir Abdixhiku ka kapacitet politik dhe moral për ta ribashkuar partinë. Kjo nuk është vetëm çështje vullneti. Është çështje besueshmërie. Një pjesë e konsiderueshme e delegatëve i tha të enjten se nuk beson plotësisht në drejtimin e tij. Besimi nuk rikthehet me deklarata triumfuese, por me vendime që krijojnë ndjenjën se LDK është shtëpi për të gjithë dhe jo pronë e një grupi.
* * *
Në këtë kontekst hyn edhe dilema më e madhe politike që e pret LDK’në: raporti me Lëvizjen Vetëvendosje. Prej muajsh flitet se bashkëpunimi ose edhe një koalicion qeverisës është një nga skenarët e mundshëm për daljen nga ngërçi institucional. Ka nga ata që besojnë se hyrja në qeveri do ta qetësonte partinë, sepse pushteti zakonisht ul tensionet e brendshme. Historia politike e Kosovës, megjithatë, na mëson se pushteti nuk i shëron domosdoshmërisht plagët. Shpesh vetëm i mbulon përkohësisht.
Nëse LDK hyn në një koalicion me Vetëvendosjen pa e zgjidhur më parë krizën e brendshme, konfliktet nuk do të zhduken. Përkundrazi, ato mund të marrin dimension tjetër. Një pjesë e strukturës mund ta shohë hyrjen në qeveri si dorëzim politik, ndërsa një pjesë tjetër si mundësi për stabilitet. Në vend që koalicioni të bëhet faktor bashkues, ai mund të shndërrohet në burim të ri përplasjesh.
Ekziston edhe një rrezik tjetër, ndoshta më serioz. Nëse LDK hyn në qeveri me Vetëvendosjen pa një identitet të qartë politik, ajo rrezikon të humbasë edhe më shumë profilin e saj. Historia e politikës kosovare ka treguar se partnerët më të vegjël në koalicione me parti dominuese zakonisht paguajnë çmimin elektoral. Kur nuk arrijnë ta dallojnë veten nga partneri më i madh, qytetarët shpesh zgjedhin origjinalin dhe jo kopjen.
LDK ka kaluar kriza edhe më të mëdha gjatë historisë së saj. Ka humbur figura, ka kaluar përçarje dhe disfata zgjedhore, por gjithmonë ka gjetur mënyrën për t’u rikthyer. Sot, megjithatë, sfida është ndryshe. Nuk mjafton vetëm të mbijetojë si parti, por duhet të dëshmojë se ende përfaqëson një alternativë të besueshme për qytetarët. Përndryshe, do të mbetet peng i debateve të pafundme të brendshme, ndërsa hapësira politike do të vazhdojë të ngushtohet.
Kuvendi i të enjtes nuk e zgjidhi krizën e LDK’së, por vetëm e bëri atë publike. Abdixhiku fitoi votëbesimin, por jo edhe besimin e plotë të partisë. Kundërshtarët e tij humbën përballjen, por jo domosdoshmërisht ndikimin. Të dyja palët dolën nga ky proces me përgjegjësi të mëdha.
Në fund, pyetja nuk është nëse Lumir Abdixhiku mbeti kryetar, por nëse ai mund ta shndërrojë këtë fitore të ngushtë në një mundësi për ta ribashkuar LDK’në apo do të mbahet mend si kryetari që fitoi betejën e brendshme, por humbi gradualisht partinë? Nëse përgjigjja është kjo e dyta, atëherë fituesi i djeshëm mund të rezultojë humbësi më i madh i së nesërmes. Dhe bashkë me të, humbëse do të jetë edhe vetë LDK’ja.