Kurti dhe Haxhiu bëjnë homazhe te varri i Adem Demaçit: Shkrimtari që kundërshtoi robërinë e Kosovës
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, bënë homazhe në 8-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi, duke e vlerësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës dhe përpjekjes së Kosovës për liri. Përmes një postimi, Haxhiu tha se jeta e Demaçit…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, bënë homazhe në 8-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi, duke e vlerësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës dhe përpjekjes së Kosovës për liri.
Përmes një postimi, Haxhiu tha se jeta e Demaçit përfshiu disa nga etapat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke kujtuar se ai ishte pjesë e rezistencës politike në kohën kur kërkesa për liri dënohej me burg.
“Jeta e tij lidhi disa etapa të historisë sonë. Ai ishte pjesë e rezistencës politike në kohën kur kërkesa për liri dënohej me burg, ishte zë i të drejtave të shqiptarëve kur ato mohoheshin dhe mbeti i pranishëm në jetën publike edhe kur Kosova hyri në një kapitull të ri të historisë së saj”.
Ajo theksoi se Demaçi ishte zë i të drejtave të shqiptarëve kur ato mohoheshin dhe se mbeti aktiv në jetën publike edhe pas çlirimit të Kosovës.
“Shkrimtari që kundërshtoi gjakmarrjen ishte po ai veprimtar që kundërshtoi robërinë dhe, pas çlirimit të Kosovës, kërkonte me ngulm që liria të mos përdorej për hakmarrje. Baca Adem i përkiste brezit që e përjetoi rëndë mohimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi. Ai zgjodhi të mos heshtte dhe për këtë zgjedhje pagoi me 28 vjet burg. Kaloi 28 vjet në burg, por as burgimi dhe as përndjekja nuk e bënë të hiqte dorë nga bindjet e tij dhe nga kërkesa për lirinë e Kosovës. Emri i Adem Demaçit kishte kaluar kufijtë e Kosovës shumë kohë para se Kosova ta fitonte lirinë. Amnesty International e mori në mbrojtje si të burgosur të ndërgjegjes, në Senatin amerikan u kërkua lirimi i tij, ndërsa Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov për qëndrimin e tij përballë një regjimi autoritar”, ka shkruar mes tjerash Haxhiu.
Kryeministri Kurti tha se Adem Demaçi mbetet simbol i qëndresës dhe rezistencës ndaj shtypjes së shqiptarëve gjatë periudhës së regjimit jugosllav e serb.
“Adem Demaçi është shembulli i pathyeshmërisë dhe përjetësisë. Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur. Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se vuajtjet dhe përndjekjet nuk e thyen veprimtarin, por e forcuan në bindjet e tij.
“Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën, teksa vepra i bëhej e pavdekshme. Ai e ‘kishte vrarë vdekjen’”, tha Kurti.
Adem Demaçi kaloi gjithsej 28 vjet në burgjet e regjimeve jugosllave dhe serbe, në tri periudha të ndryshme: fillimisht 3 vjet, më pas 10 vjet dhe herën e tretë 15 vjet. Pavarësisht burgimit të gjatë, ai vazhdoi angazhimin e tij për të drejtat politike dhe kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.