Çitaku kujton vendimin historik të GJND-së: Fitoret më të mëdha të Kosovës kanë ardhur në partneritet me SHBA-në

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku në 16 vjetorin e vendimit të GJND-së për Pavarësinë e Kosovës, ka kujtuar momentet emocionuese të asaj kohe. Ajo ka thënë se në atë ditë kur GJND e konfirmoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ishte në Uashington D.C bashkë me kryeministrin…

Lajme

22/07/2026 15:18

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku në 16 vjetorin e vendimit të GJND-së për Pavarësinë e Kosovës, ka kujtuar momentet emocionuese të asaj kohe.

Ajo ka thënë se në atë ditë kur GJND e konfirmoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ishte në Uashington D.C bashkë me kryeministrin e asaj kohe, Hashim Thaçin për vizitë zyrtare.

“Nuk ishte rastësi që ishim ftuar pikërisht atë ditë. Aleatët tanë amerikanë donin të ishin pranë nesh, pavarësisht se cili do të ishte vendimi i Gjykatës. Ishte një gjest miqësie, besimi dhe partneriteti i jashtëzakonshëm. Atë ditë zhvilluam takime në Shtëpinë e Bardhë me Zëvendëspresidentin Joe Biden, me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, si dhe me senatorë e kongresmenë amerikanë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se atë ditë e gjithë bota e kuptoi se Kosova kishte vepruar drejt dhe se shpallja e Pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Të nesërmen shkuam në Departamentin e Shtetit për ta takuar ekipin e jashtëzakonshëm ligjor amerikan, i cili kishte dorëzuar argumentet e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të Kosovës para Gjykatës. Mendjet më të ndritura të së drejtës ndërkombëtare kishin punuar krah nesh. Gëzimi i tyre ishte po aq i madh sa i yni. Ishte një fitore e përbashkët, e Kosovës, e aleatëve tanë dhe e së drejtës. Ajo ditë ma përforcoi bindjen se fitoret më të mëdha të Kosovës kanë ardhur kur kemi qenë në anën e së drejtës dhe në partneritet të ngushtë me aleatët tanë. Me të njëjtin besim e pres edhe shtatorin. Besoj se atëherë do ta festojmë fitoren përfundimtare të së vërtetës, të drejtësisë dhe të luftës sonë çlirimtare. Për Kosovën. Gjithmonë”, ka shtuar Çitaku. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: