​Kryetari i Obiliqit Thaçi paralajmëron masa: Të hënën dita e fundit që operatori mund të punojë në Babimoc

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, inspektoi punimet në rrugën e fshatit Babimoc, duke paralajmëruar se operatorit ekonomik nuk do t’i lejohet të vazhdojë punimet nëse projekti nuk përfundon deri të hënën. Thaçi tha se projekti, i cili ka nisur më 23 maj 2024, është zvarritur përtej afateve, ndonëse pjesa më e madhe e…

Lajme

14/07/2026 17:22

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, inspektoi punimet në rrugën e fshatit Babimoc, duke paralajmëruar se operatorit ekonomik nuk do t’i lejohet të vazhdojë punimet nëse projekti nuk përfundon deri të hënën. Thaçi tha se projekti, i cili ka nisur më 23 maj 2024, është zvarritur përtej afateve, ndonëse pjesa më e madhe e pagesës është realizuar.

“Ne jemi këtu në fshatin Babimoc, ku kemi një projekt që nga viti 2024, e që janë zgjatur tej mase punimet. Na u premtua se të enjten dhe të premten do të përfundojë rruga. Të hënën do të dalim sërish në inspektim dhe ajo është dita e fundit kur do të lejohet ky operator të punojë. Vlera e investimit ka qenë 216 mijë euro, janë paguar 177 mijë euro, ndërsa 39 mijë euro ende nuk janë paguar. U bëj thirrje jo vetëm këtij operatori, por të gjithë operatorëve që punojnë në Komunën e Obiliqit, që të mos i zvarrisin punimet”, tha ai.

Duke folur për arsyet e vonesave, kryetari i Obiliqit tha se operatorët zakonisht arsyetohen me rritjen e çmimeve të materialeve, por theksoi se kontratat duhet të respektohen.

“Rruga ka qenë e planifikuar të përfundonte në vitin 2025, ndërsa tani jemi në vitin 2026. Operatorët gjejnë arsye të ndryshme për ngecje, duke u thirrur në rritjen e çmimeve të produkteve që përdorin, por pavarësisht kësaj ata kanë kontratë me Komunën e Obiliqit dhe punët nuk duhet të zgjaten”, tha Thaçi.

Thaçi njoftoi gjithashtu se ka nisur funksionimi i transportit publik të subvencionuar nga Komuna, ndërsa, nga 1 qershori ka filluar mbledhja e mbeturinave nga ndërmarrja lokale “Kastrioti”.

“Është dita e dytë që kemi filluar me transportin publik. Pothuajse të gjitha linjat janë aktivizuar dhe nga dita e hënë kemi nisur subvencionimin e transportit publik në të gjitha fshatrat dhe në qytetin e Obiliqit. Vetëm në një fshat autobusi ende nuk ka arritur për shkak se operatori nuk është përgatitur. Ndërsa, nga 1 qershori Komuna e Obiliqit i mbledh vetë mbeturinat përmes NPL ‘Kastrioti’. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe i ftoj të vazhdojnë pagesat për mbeturinat, në mënyrë që të kemi një komunë më të pastër”, tha kryetari i Obiliqit, Thaçi.