Osmani hesht për takimin me Abdixhikun dhe negociatat me Kurtin: Është deklaruar sekretari i LDK-së, e mbështes atë
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidente, Vjosa Osmani, ka refuzuar të japë detaje lidhur me takimin që ka zhvilluar me kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku. Pas takimit, Osmani nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse do të heqë dorë nga kandidatura për presidente, si dhe nëse pritet të zhvillojë një tjetër takim…
Lajme
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidente, Vjosa Osmani, ka refuzuar të japë detaje lidhur me takimin që ka zhvilluar me kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit, Osmani nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse do të heqë dorë nga kandidatura për presidente, si dhe nëse pritet të zhvillojë një tjetër takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, transmeton lajmi.net.
“Është deklaruar sekretari i LDK-së. E mbështes atë deklaratë. Ju lus për mirëkuptim,” tha shkurt Osmani.
Deklarata së cilës iu referua Osmani u dha më herët nga sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, i cili komentoi zhvillimet e fundit brenda partisë dhe diskutimet rreth procesit të krijimit të institucioneve.
Ferati tha se mbledhja e nënshkrimeve nga deputetët që kanë qëndrime të ndryshme është një ushtrim demokratik, por theksoi se zyrtarët e LDK-së duhet debatet t’i zhvillojnë brenda strukturave të partisë.
“LDK-ja është e të gjithëve, jo e individëve. Me statut jemi të obliguar që çështjet t’i diskutojmë brenda organeve të partisë dhe jo t’i shqetësojmë qytetarët me debatet tona,” deklaroi Ferati.
Ai shtoi se kryetari Lumir Abdixhiku flet në emër të 18 deputetëve të LDK-së dhe hodhi poshtë spekulimet për përçarje në grupin parlamentar.
“Nuk ka deputetë brenda LDK-së që do ta thyejnë grupin parlamentar,” u shpreh ai.
Sipas Feratit, synimi i LDK-së mbetet arritja e një programi të përbashkët në interes të qytetarëve, ndërsa bëri të ditur se diskutimet teknike me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë./lajmi.net/