Hamza “selam” Kurtit: Nuk të përgjigjem në Whatsapp, ftesat duhet të jenë zyrtare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjej një ftese për takim nga Albin Kurti nëse ajo dërgohet përmes aplikacionit WhatsApp, duke insistuar se komunikimi për çështje të tilla duhet të bëhet në mënyrë zyrtare. Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hamza tha se një takim duhet…

Lajme

02/07/2026 22:17

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjej një ftese për takim nga Albin Kurti nëse ajo dërgohet përmes aplikacionit WhatsApp, duke insistuar se komunikimi për çështje të tilla duhet të bëhet në mënyrë zyrtare.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hamza tha se një takim duhet të ketë agjendë dhe përmbajtje të qartë, transmeton lajmi.net.

“Nëse Kurti na fton në takim, ftesa duhet të jetë zyrtare, ftesë me përmbajtje, në mënyrë që edhe përgjigjja të jetë zyrtare. Jo me WhatsApp. Arsyeja është se nuk dëshiroj që pas takimit, për të cilin nuk i dihet përmbajtja, të dalim dhe unë ta përdor takimin në mënyrën si më konvenon, apo dikush tjetër ta përdorë si i konvenon”, deklaroi Hamza në Rubikon.

Ai shtoi se për PDK-në prioritet janë çështjet që lidhen me interesin e shtetit, ndërsa diskutimet për krijimin e institucioneve duhet të vijnë vetëm pasi të ketë pajtim për temat kryesore.

“Për PDK-në janë prioritete çështjet e vendit. Fillimisht duhet të diskutohet për to dhe, nëse ka dakordim, atëherë mund të flasim edhe për formula të tjera. Në një ftesë për takim, për ne janë me rëndësi temat dhe prioritetet, e më pas formula e krijimit të institucioneve – Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti”, tha Hamza./lajmi.net/