Agim Veliu shpërthen ndaj deklaratave të Osmanit: Nuk ka kredibilitet, ishte faktor kyç i përçarjes së LDK-së – tash paraqitet si viktimë

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të Vjosa Osmanit, e cila tha se nuk e ka braktisur kurrë elektoratin e LDK-së dhe se largimi i saj nga partia ishte pasojë e vendimeve të lidershipit të atëhershëm. Në një prononcim për Lajmi.net, Agim Veliu hodhi poshtë pretendimet e…

Lajme

02/07/2026 23:06

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të Vjosa Osmanit, e cila tha se nuk e ka braktisur kurrë elektoratin e LDK-së dhe se largimi i saj nga partia ishte pasojë e vendimeve të lidershipit të atëhershëm.

Në një prononcim për Lajmi.net, Agim Veliu hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke e akuzuar atë se ishte një nga figurat kryesore që, sipas tij, çuan në përçarjen më të madhe në historinë e LDK-së.

“Vjosa Osmani nuk ka asnjë kredibilitet të flasë për unitetin e LDK-së. Ajo ishte figura që e shndërroi konfliktin e brendshëm në përçarjen më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë LDK-ja. Ajo sot përpiqet ta paraqesë veten si viktimë, ndërsa veprimet e saj politike tregojnë se ishte një nga protagonistet kryesore të asaj përçarjeje”, tha ai.

Veliu reagoi edhe ndaj deklaratës së Osmanit se nuk e ka braktisur elektoratin e LDK-së, duke thënë se veprimet e saj politike dëshmojnë të kundërtën.

“Pretendimi se nuk e ka braktisur elektoratin e LDK-së është kontradikor dhe bie ndesh me veprimet e saj. Nuk braktiset elektorati veç duke ia kthyer shpinen për pesë vite, por edhe duke e përçarë, duke e ndarë dhe duke kërkuar votën kundër partisë, e cila e kishte ngritur politikisht. Nëse ajo beson se nuk e ka dëmtuar LDK-në, atëherë e mohon realitetin. Pas largimit nga partia, ajo u rreshtua politikisht kundër LDK-së”, tregoi Veliu.

Sipas ish-deputetit të LDK-së, fakti që Osmani deklaron se nuk është penduar për veprimet e saj në vitin 2020 tregon mungesë reflektimi politik.

“Deklarata se nuk është penduar për veprimet e saj në vitin 2020 është dëshmia më e qartë se nuk ka reflektim as përgjegjësi politike. Kush nuk pendohet për një proces që solli ndarje të thellë, nuk mund të flasë për pajtim. Është paradoksale të pretendosh se nuk e ke braktisur elektoratin e LDK-së, ndërkohë që vazhdon të mbrosh vendimet që e përçanë atë elektorat dhe e dobësuan partinë. Kjo nuk është gjuhë bashkimi, por një përpjekje për të justifikuar një kapitull politik që la pasoja të rënda për LDK-në”, theksoi ish-deputeti i LDK-së.

Veliu përdori tone edhe më të ashpra ndaj Osmanit – ku tha se Osmani është një mashtruese e njohur për deklarata të paqëndrueshme dhe kontradiktore, duke shtuar se elektorati në zgjedhjet e fundit ia dha asaj përgjigjen se sa vlenë.

“Fundja, Vjosa është një mashtruese e njohur për deklarata të paqëndrueshme dhe kontradiktore. Demagogjisë së saj politike i besojnë vetëm ata që e rikthyen në LDK, duke dashur t’ia shesin elektoratit si një LDK-iste e djathtiste edhe më të kalitur gjatë qëndrimit në kampin majtist. Në këto zgjedhje elektoratiti i dha pergjigjen se sa vlene ajo”, përfundoi ai.

Kujtojmë se LDK-ja në u rendit e treta në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026. Sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LDK-ja fitoi rreth 16.69%, duke siguruar 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës./Lajmi.net/