Sot përfundon afati i ankesave, KQZ në pritje të tyre për të certifikuar rezultatet
Edhe dy orë kohë iu ka mbetur partive politike që të dorëzojnë ankesat e tyre në PZAP për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit. Ky afat do të mbyllet sot në ora 12:00, ndërkaq KQZ është në pritje të tyre për të proceduar me certifikimin e rezultateve përfundimtare, shkruan lajmi.net. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir…
Lajme
Edhe dy orë kohë iu ka mbetur partive politike që të dorëzojnë ankesat e tyre në PZAP për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ky afat do të mbyllet sot në ora 12:00, ndërkaq KQZ është në pritje të tyre për të proceduar me certifikimin e rezultateve përfundimtare, shkruan lajmi.net.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nëse nuk do të ketë ankesa, ata janë të gatshëm për të proceduar me certifikim.
“Nëse nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe përmbylljen e procesit zgjedhor sa i përket kësaj pjese. Ndërkaq, në rast se do të ketë ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, do të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka deklaruar Elezi.
Sipas KQZ-së, procesi i certifikimit do të vazhdojë varësisht nga zhvillimi i procedurave ankimore në institucionet përkatëse.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, pasi paraprakisht Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë, që kërkonin rinumërimin e votave të kandidatëve nga radhët e kësaj partie.
Pro shpalljes së rezultatit përfundimtar kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së, prezentë në mbledhje.
Bazuar në të, shpërndarja e ulëseve në Kuvend mbetet e njëjtë, sikur ajo e kalkuluar nga rezultati i numërimit edhe të votave të shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike 19.44 për qind, përkatësisht 22 ulëse, Lidhja Demokratike 16.69 për qind, përkatësisht 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74 për qind, që ia kanë siguruar 7 ulëse në Kuvend. 20 ulëse të tjera janë ndarë mes partive të komuniteteve. /Lajmi.net/