Ditë e zezë në Kosovë: Pesë të vdekur brenda 24 orëve në ngjarje tragjike
Një ditë e rëndë ka qenë ajo që kemi lënë për vendin tonë. Kjo pasi pesë persona kanë humbur jetën tragjikisht, shkruan lajmi.net. Dita e djeshme ka nisur me një aksident i rëndë trafiku që ka ndodhur rreth orës 02:00 pas mesnate, ku ka humbur jetën një motoçiklist. Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Policisë…
Lajme
Një ditë e rëndë ka qenë ajo që kemi lënë për vendin tonë. Kjo pasi pesë persona kanë humbur jetën tragjikisht, shkruan lajmi.net.
Dita e djeshme ka nisur me një aksident i rëndë trafiku që ka ndodhur rreth orës 02:00 pas mesnate, ku ka humbur jetën një motoçiklist.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Policisë Rajonale në Gjakovë, Vlera Krasniqi, e cila ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:00 dhe në të janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.
“Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.
Ndërkaq, ndaj drejtuesit të veturës është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, për procedura të mëtejshme hetimore.
Ndërkohë, drejtori rajonal i Policisë së Trafikut në Gjakovë, Albin Sahatqija, ka deklaruar më herët se dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë mos-përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, ku motoçiklisti ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me trotuarin.
Një ngjarje tragjike gjithashtu ka ndodhur në fshatin Maznik të Deçanit, ku kanë humbur jetën babë e bir pasi kanë rënë në kontakt me rrymën.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës në Pejë, të cilët kanë thënë se janë njoftuar nga QKMF në Deçan se janë pranuar dy persona të cilët dyshohet se janё lënduar nga kontakti me rrymën, dhe tё njëjtin janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP-Pejё, kanё dalё nё vendngjarje, ku dyshohet se deri sa viktimat ishin duke pastruar veturën nё oborrin e tyre, kanё rёnё nё kontakt me rrymën, pas dёrgimit nё emergjencёn e spitalit rajonal nё Pejё, nga ekipi mjekёsor rreth orёs 21:20, ёshtё konstatuar vdekja e dy vikimave. Me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit, viktimat janё dёrguar nё institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё pёr obduksion, rasti vazhdon tё hetohet nga njёsitet kompetente”, ka njoftuar Policia.
Një orë para mesnate, një vrasje ka ndodhur në qytetin e Ferizajt.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Kanun Veseli i cili ka thënë se aty ka ndodhur një përleshje ku dyshohet të jetë përdorur arma e zjarrit.
Veseli ka thënë se në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante, përfshirë NJRSH-në dhe hetuesit e stacionit policor në Ferizaj.
“Sipas informatave të para, në vendngjarje është gjetur një person mashkull i moshës madhore, pa shenja jete, i cili dyshohet se ka marrë plagë nga arma e zjarrit. Vdekja e tij është konfirmuar nga ekipi mjekësor i spitalit të Ferizajt Për detaje shtesë, do të njoftoheni me raport vijues”, ka thënë mbrëmë Veseli për lajmi.net.
Në lidhje me këtë rast, sot detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, të cilët kanë njoftuar se janë arrestuar si të dyshuar babë e bijë.
Nga Prokuroria kanë njoftuar se në vendngjarje ka dal prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe nga aty në bashkëpunim të plotë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe me njësitë tjera relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështje penale.
“Lidhur me ketë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj (M.B)., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast. Trupi i pajetë i viktimës F.H., është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria në Ferizaj ka thënë se janë duke punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale.
Nata ka përfunduar edhe me një aksident me fatalitet, ku ka humbur jetën një zyrtar policor gjatë detyrës zyrtare në Pikën Kufitare në Vërmicë.
“Aksidenti ka ndodhur gjatë kohës kur polici ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikë-kalimit kufitar dhe në një moment ka tentuar të kalojë rrugën. Në atë çast, nga drejtimi Prizren – Vërmicë, ka ardhur një automjet i cili, duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e ka goditur viktimën me pjesën e përparme të automjetit. Si pasojë, këmbësori ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalur prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor të Prizrenit (NJRTRR) si dhe ekipi i emergjencës të cilët edhe kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, ka njoftuar Policia.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, ndërsa ngasësi i automjetit të dyshuar, D.D., mashkull, shtetas i Republikës së Shqipërisë, është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Rasti i referohet Prokurorisë Themelore në Prizren.
Këto ngjarje tragjike i kanë marrë jetën pesë qytetarëve të Kosovës brenda 24 orëve. /Lajmi.net/