Historiku zgjedhor: VV ngjitet në krye me pesë fitore, LDK pa triumf që nga zgjedhjet e vitit 2004

Lëvizja Vetëvendosje u zyrtarizua të shtunën, me “vulë” të KQZ-së, si partia më e suksesshme në Kosovë, nga paslufta e këndej, përsa i përket fitoreve nëpër zgjedhje. Kjo parti, me rezultatin e 7 qershorit, sipas një analize që u ka bërë kosovapress të dhënave elektorale në 27 vjetët e fundit, u bë e para dhe…

Lajme

27/06/2026 15:16

Lëvizja Vetëvendosje u zyrtarizua të shtunën, me “vulë” të KQZ-së, si partia më e suksesshme në Kosovë, nga paslufta e këndej, përsa i përket fitoreve nëpër zgjedhje.

Kjo parti, me rezultatin e 7 qershorit, sipas një analize që u ka bërë kosovapress të dhënave elektorale në 27 vjetët e fundit, u bë e para dhe e vetmja që triumfoi në pesë cikle elektorale në nivel nacional.

Subjekt që ka për kryetar Albin Kurtin nuk humbi asnjë palë zgjedhje, që nga viti 2019.

Ky vit pati shënuar herën e parë që Vetëvendosje doli e para në vend. Më pastaj fitoi edhe më 2021. Triumfin e përsëriti edhe dy herë më 2025, më 9 shkurt e 28 dhjetor, për të kulmuar si e vetme në lidership, me numër rekord të fijoreve, pesë, më 7 qershor.

Deri te ky cili i fundit, VV ishte baras me PDK-në, sa u përket triumfeve elektorale.

Kjo e fundit kishte fituar katër herë, paraprakisht. I fundit ishte më 2017, kur kishte garuar si PAN, bashkë me Aleancën dhe Nismën, ndërsa i parafundit ai i vitit 2014.

Hera e parë që PDK mposhti gjithë tjerët në një garë zgjedhore ishte viti 2007. Fitoren e dytë e siguroi në zgjedhjet e vitit 2010.

Para vitit 2007, Kosova nuk njihte tjetër fitues pos LDK-së.

Në fakt, kjo parti triumfoi vetëm dy herë. E para ishte në zgjedhjet premierë të vendit, pasluftës, që u mbajtën më 2001. E dyta më 2004, kur sërish nuk pati konkurrencë.

LDK nuk ka fituar më asnjë cikël zgjedhor në Kosovë, qe 22 vjet. Më së afërti ishte me 2019, kur humbi për më pak se dy pikë nga Vetëvendosje. Kjo e fundit mori 26.27 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike nuk u ngjit përtej 24.548 %.