Jehona Lushaku-Sadriu: Dalja e ulët në votime, pasojë e zhgënjimit me qeverisjen

Pak para mbylljes së procesit të votimit, anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar për Kosovapress pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje. Sipas saj, përqindja më e ulët e daljes në votime krahasuar me zgjedhjet e kaluara lidhet me zhgënjimin e qytetarëve ndaj qeverisjes së deritanishme dhe krizave politike që, sipas…

Lajme

07/06/2026 19:17

Pak para mbylljes së procesit të votimit, anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar për Kosovapress pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje.

Sipas saj, përqindja më e ulët e daljes në votime krahasuar me zgjedhjet e kaluara lidhet me zhgënjimin e qytetarëve ndaj qeverisjes së deritanishme dhe krizave politike që, sipas saj, nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Përqindja e ulët e daljes në raport me zgjedhjet e kaluara është për shkak të zhgënjimit që kanë qytetarët me qeverisjen e mëparshme dhe me krizat politike të cilat nuk kanë mundur të zgjidhen. Kjo i atribuohet specifikisht partisë më të madhe, pasi ata kanë qenë në gjendje t’i bëjnë institucionet dhe, si rezultat i mosmarrëveshjeve, e kanë çuar vendin në zgjedhje. Pres që votuesit e Vetëvendosjes të jenë të zhgënjyer dhe të mos kenë dalë në zgjedhje”, tha Lushaku-Sadriu.

 

Ajo foli edhe për pritjet nga rezultati i zgjedhjeve, duke thënë se pret një rezultat dukshëm më të mirë për LDK-në sesa ai i dhjetorit.

“Si parti kemi bërë hapa të guximshëm përpara. Kemi bërë një listë të hapur edhe me njerëz jashtë strukturës. Kemi bërë një bashkim të strukturave, por edhe të njerëzve jashtë saj dhe u kemi dhënë qytetarëve një alternativë programore. Presim që rezultati të jetë shumë më i mirë se ai i dhjetorit dhe presim një rikthim të partisë sonë”, tha Lushaku-Sadriu.