Hamza nga Prishtina: Ne jemi gati ta ndalim krizën, ndryshimi fillon me votën tuaj
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në tubimin përmbyllës të fushatës në Prishtinë, ka deklaruar se vendi ka nevojë për ndryshim dhe se qytetarët janë të gatshëm t’i japin fund krizës që, sipas tij, e ka kapluar Kosovën. Hamza u shpreh i bindur se PDK-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e së dielës…
Lajme
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në tubimin përmbyllës të fushatës në Prishtinë, ka deklaruar se vendi ka nevojë për ndryshim dhe se qytetarët janë të gatshëm t’i japin fund krizës që, sipas tij, e ka kapluar Kosovën.
Hamza u shpreh i bindur se PDK-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e së dielës dhe do të formojë qeverinë e re, transmeton lajmi.net.
“Jemi mbledhur për t’i thënë qartë dhe fuqishëm secilit qytetar, në secilën komunë, në secilën lagje, në secilin fshat. Ne jemi gati ta ndalim krizën. Ne jemi gati ta ndryshojmë Kosovën. Të dielën, ne e ndajmë votën. Një votë që ka një qëllim. Një votë me shpresë. Një votë për PDK-në. Të hënën, fillon ndryshimi i madh. Ne do të jemi Qeveria e re”, ka deklaruar Hamza.
Ai tha se synimi i tij është ta udhëheqë Kosovën drejt zhvillimit dhe stabilitetit.
“Kosova mund të bëhet më mirë. Kosova duhet të bëhet më mirë. Dhe nga e hëna e tutje, bashkë, ne do ta bëjmë Kosovën më mirë”, u shpreh ai.
Lideri i PDK-së foli edhe për takimet që ka zhvilluar gjatë fushatës në mbarë vendin, duke thënë se ka parë nga afër sfidat me të cilat përballen qytetarët.
“Kemi takuar punëtorë, mjekë, mësues, pensionistë, bujq, ndërmarrës, studentë, të rinj, gra e burra që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë. Kam dëgjuar shqetësimet e tyre. Kam parë lodhjen e tyre. Kam ndjerë zhgënjimin e tyre. Por mbi të gjitha, kam parë diçka shumë më të rëndësishme. Kam parë shpresë se Kosova mund të ndryshojë. Dhe sonte, nga ky shesh, dua t’i them secilit qytetar të Kosovës. Shpresa juaj është e drejtë. Ndryshimi është i mundur. Dhe ndryshimi fillon me votën tuaj”, ka thënë Hamza./lajmi.net/