Kur ndodhi çarja e parë mes Kurtit e Osmanit, Kusari-Lila zbulon gjithçka
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çarja e parë serioze në raportet mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ish-presidentes Vjosa Osmani ka ndodhur gjatë menaxhimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Kusari-Lila, e cila është ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, tha se…
Lajme
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çarja e parë serioze në raportet mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ish-presidentes Vjosa Osmani ka ndodhur gjatë menaxhimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
Kusari-Lila, e cila është ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, tha se tensionet mes Kurtit e Osmanit kanë lindur në vitin 2024 nga dallimet në qasjen institucionale rreth veprimeve në komunat veriore.
Sipas saj, moskoordinimi dhe mungesa e komunikimit mes institucioneve ka qenë faktor vendimtar në krijimin e një distance politike mes të dyve.
Kandidatja për deputete nga LVV-ja, tregoi detaje nga një takim që kishte pasur me Osmanin në nëntor të vitit 2024, që sipas saj, kishte parë dallimet mes Osmanit dhe qeverisë në atë periudhë.
“Kanë qenë çështje të cilat kanë ekzistuar midis vetë raporteve institucionale te zonja Osmani dhe zoti Kurti e zonja Gërvalla, siç janë bërë pastaj edhe publike. Është, mendoj që nuk po i bën nder fushatës komunikimi, qasja që zonja Osmani tashmë e ka karshi edhe Lëvizjes Vetëvendosje… E kam ndjerë në presion, e kam ndjerë që ajo e ka, domethënë e mban atë pakënaqësi që ekziston me qeverinë, por nuk më ka dukur as momenti i duhur, as forma, as mundësia që unë t’i trajtoj ato, për shkak se nuk kam qenë pjesë… unë nuk kam diskutuar asokohe, as këto janë çështje të cilat unë për herë të parë i kam dëgjuar tash kur i ka përmendur dhe nuk e besoj që qëndrojnë. Kanë qenë, po, çështje të komunikimit në raport kryesisht me situatën në veri. Do të thotë, çarja më e madhe ose mungesa e komunikimit ka ndodhur te insistimi atëherë kur ishte kryeministri Kurti për t’i mbajtur kryetarët, dy kryetarët që i kishte fituar Lëvizja Vetëvendosje, në dy komuna, në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, dy kryetarët në ndërtesat e komunave, në veçanti në Leposaviq, nëse e mbani mend, me Lulzim Hetemin”, deklaroi ajo.
Duke komentuar mundësinë e bashkëpunimit me ish-presidenten Osmani, tashmë si bartëse e listës zgjedhore të LDK-së, Kusari-Lila tha se retorika aktuale politike e saj nuk po shkon në drejtim të një figure unifikuese, siç kërkon roli institucional i presidentit.
Megjithatë, ajo theksoi se komunikimi mes forcave politike shqiptare mbetet i domosdoshëm.
Sa i përket zgjedhjeve, Kusari-Lila u shpreh optimiste për rezultatin e LVV-së, duke deklaruar se sipas saj partia në pushtet mund të dalë edhe më e fortë se në zgjedhjet e kaluara.
Ajo e lidhi këtë vlerësim me mobilizimin në terren dhe mbështetjen qytetare që, sipas saj, është duke u rritur.
sëSipas Kusari-Lilës, ndarja e shtesave prej 100 eurosh dhe subvencionimi i biletave ajrore për diasporën në vlerë prej 2 milionë eurosh nuk përbëjnë blerje votash. Ajo theksoi se këto hapa janë vazhdimësi e politikave sociale që rrisin mirëqenien e qytetarëve, duke hedhur poshtë ashpër akuzat e opozitës se po përdoret pasuria publike për përfitime elektorale.
Në vlerësimin e saj për periudhën e gjashtëvjeçare qeverisëse, Kusari-Lila tha se një nga arritjet kryesore ka qenë konsolidimi institucional dhe shtrirja e prezencës së shtetit në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas saj, rëndësi e veçantë i është dhënë stabilitetit në veri dhe funksionalizimit të institucioneve në atë pjesë të vendit, si dhe forcimit të shërbimeve publike në përgjithësi.
Nga ana tjetër, zhvillimi i zonave industriale, si ato në Gjakovë, Lipjan dhe Drenas, si dhe investimet e huaja në vlerë mbi 1 miliard euro, u përmendën si dëshmi e punës së qeverisë në sektorin ekonomik, duke e krahasuar zhvillimin ekonomik paralel me mbështetjen sociale.