Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ jep detaje për procesin
Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 7 qershor në ora 07:00, kur hapen Qendrat e Votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në këto zgjedhje janë certifikuar 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë për deputetë. Sipas…
Lajme
Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 7 qershor në ora 07:00, kur hapen Qendrat e Votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në këto zgjedhje janë certifikuar 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë për deputetë.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, fushata do të zhvillohet për 10 ditë e 7 orë, ndërsa sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të miratuar më 2023, ajo përfundon në momentin e hapjes së qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.
“Për 10 ditë e 7 orë, 21 subjektet politike me 902 kandidatët për deputetë do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025, dita e shtunë nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, ka thënë Elezi për Express.
Elezi ka sqaruar se KQZ nuk merret me trajtimin e ankesave për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo kompetencë i takon Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se KQZ do të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike në të gjitha komunat përmes monitoruesve të angazhuar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Sipas KQZ-së, nga 902 kandidatët e certifikuar, 593 janë burra dhe 309 janë gra. Kandidatët përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.
Këto zgjedhje po mbahen pas krizës politike që ka përcjellë vendin që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.