Hoxhaj: Shqipëria po ecën drejt BE-së, Kosova humbi 6 vite me Kurtin

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas avancimit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit dhe duke thënë se Kosova ka humbur gjashtë vite në izolim dhe përplasje politike. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Hoxhaj deklaroi se një qeveri e…

Lajme

26/05/2026 20:45

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas avancimit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit dhe duke thënë se Kosova ka humbur gjashtë vite në izolim dhe përplasje politike.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Hoxhaj deklaroi se një qeveri e PDK-së do ta kishte çuar Kosovën shumë më përpara në planin ndërkombëtar.

“Një qeveri e PDK-së, për këto gjashtë vite sa ka mbajtur pushtetin Albin Kurti, Kosovën do ta kishte anëtarësuar në NATO. Do ta kishte marrë statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian. Do ta kishte përmbyllur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe do t’ia kishte sjellë Kosovës edhe 50 njohje të reja”, u shpreh Hoxhaj.

Ai tha se Kosova ka humbur vite të rëndësishme për shkak të, siç i quajti ai, “propagandës, konflikteve dhe izolimit”.

“Kjo gjë nuk ndodhi dhe Kosova humbi gjashtë vite të rëndësishme”, deklaroi kandidati i PDK-së.

Hoxhaj theksoi se objektivi kryesor i PDK-së në katër vitet e ardhshme do të jetë integrimi euroatlantik i Kosovës, me fokus të veçantë anëtarësimin në NATO dhe avancimin drejt Bashkimit Evropian.

“Me PDK-në, në katër vitet e ardhshme, objektiv kombëtar do të jetë anëtarësimi i Kosovës në NATO. Do ta marrim statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian dhe do ta përmbyllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha ai.

Në fund të deklarimit të tij, Hoxhaj rikujtoi periudhën kur PDK udhëhiqte institucionet e vendit, duke theksuar rolin e saj në forcimin e shtetit të Kosovës dhe sigurimin e njohjeve ndërkombëtare.

“Do t’ia sjellim Kosovës edhe 50 njohje të reja, ashtu siç ia kemi sjellë mbi 115 njohje në udhëheqjet e kaluara të vendit. Ne kemi forcuar shtetin. E dimë si ta bëjmë. Do ta bëjmë përsëri”, përfundoi Hoxhaj.