Jessie J jep lajmin e madh, fiton betejën me kancerin e gjirit

Jessie J ka ndarë një lajm tepër emocionues me fansat e saj, duke bërë të ditur se ka fituar betejën me kancerin e gjirit pas gati një viti përballjeje me sëmundjen. Artistja britanike tregoi se rezultatet e analizave të fundit i konfirmuan se tashmë është plotësisht e shëruar, moment që e përshkroi si një nga…

ShowBiz

21/05/2026 23:40

Jessie J ka ndarë një lajm tepër emocionues me fansat e saj, duke bërë të ditur se ka fituar betejën me kancerin e gjirit pas gati një viti përballjeje me sëmundjen. Artistja britanike tregoi se rezultatet e analizave të fundit i konfirmuan se tashmë është plotësisht e shëruar, moment që e përshkroi si një nga më emocionuesit e jetës së saj.

Këngëtarja publikoi një video në Instagram nga spitali, pak para një ekzaminimi me rezonancë magnetike, ku foli hapur për frikën dhe ankthin që kishte përjetuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Ajo pranoi se vuante nga klaustrofobia dhe se procedura ishte mjaft e vështirë emocionalisht, por pavarësisht kësaj zgjodhi të përçonte pozitivitet dhe shpresë për ndjekësit e saj.

“Jam zyrtarisht e pastër nga kanceri”, shkroi Jessie J në rrjetet sociale, duke zbuluar se kishte shpërthyer në lot sapo kishte marrë lajmin e shumëpritur. Sipas saj, ishte hera e parë pas shumë muajsh që ndiente një frymëmarrje të lirë dhe një qetësi të vërtetë.

Rrugëtimi i artistes nisi në qershorin e vitit të kaluar, kur mjekët diagnostikuan sëmundjen në fazë të hershme. Pas kësaj, ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e gjirit, ndërsa më vonë u përball edhe me shtyrje të operacioneve të tjera, çka e bëri situatën edhe më të vështirë psikologjikisht.

Për shkak të trajtimeve dhe procedurave mjekësore, Jessie J u detyrua të anulonte edhe turneun e saj muzikor në SHBA. Artistja kërkoi falje publike ndaj fansave për koncertet e shtyra, duke theksuar se shëndeti ishte prioriteti i saj kryesor dhe se vendimet mjekësore ishin jashtë kontrollit të saj.

Pas lajmit të mirë, rrjetet sociale u mbushën menjëherë me mesazhe mbështetjeje dhe urime nga fansa, artistë dhe figura të njohura të ekranit, të cilët festuan bashkë me të këtë fitore të rëndësishme personale.