Shahini: Kosova po fundoset ekonomikisht

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznezeve, Agim Shahini ka reaguar në lidhje me raportin e fundit që e ka vendosur Kosovën si vendin e dytë në Evropë më të varfër, menjëherë pas Moldavisë. Ai e ka parë si shqetësim kombëtar dhe dështim institucional këtë fakt, shkruan lajmi.net. “Ky raport është pasqyra më e qartë e…

Lajme

18/05/2026 09:31

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznezeve, Agim Shahini ka reaguar në lidhje me raportin e fundit që e ka vendosur Kosovën si vendin e dytë në Evropë më të varfër, menjëherë pas Moldavisë.

Ai e ka parë si shqetësim kombëtar dhe dështim institucional këtë fakt, shkruan lajmi.net.

“Ky raport është pasqyra më e qartë e degradimit ekonomik që po i ndodh Kosovës ndër vite. Është e papranueshme që një vend me resurset më të mëdha njerëzore në rajon, me diasporë të fuqishme dhe me potencial zhvillimor, të vazhdojë të mbetet në fund të Evropës për mirëqenie ekonomike. AKB vlerëson se institucionet e Kosovës kanë dështuar të krijojnë politika serioze zhvillimore dhe ambiente të favorshme për biznesin dhe investitorët. Përderisa vendet e rajonit po ecin përpara me investime, prodhim dhe eksporte, Kosova po vazhdon të mbijetojë nga diaspora, importi dhe konsumi”, ka shkruar ai.

Shahini ka thënë se bizneset në Kosovë po përballen çdo ditë me rritje të vazhdueshme të kostos së energjisë,mungesë të mbështetjes shtetërore,pasiguri ekonomike dhe politike, burokraci të rëndë,ekonomi joformale dhe konkurrencë të padrejtë,si dhe mungesë të strategjisë për prodhim vendor.

“Është turp ekonomik dhe institucional që Kosova sot renditet pas shumicës së vendeve të rajonit, ndërsa qytetarët po largohen masivisht nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike. AKB paralajmëron se pa ndryshime urgjente në politikat ekonomike dhe pa trajtim serioz të sektorit privat, Kosova rrezikon të thellojë edhe më shumë varfërinë, papunësinë dhe varësinë ekonomike”, thuhet në reagim.

AKB ka kërkuar një paketë emergjente për mbështetjen e prodhimit vendor, ulje të barrës fiskale për bizneset, ndaljen e politikave që rëndojnë sektorin privat,strategji kombëtare për investime dhe eksporte dhe dialog të sinqertë institucional me komunitetin e biznesit.

“Kosova nuk mund të ndërtojë zhvillim ekonomik me propaganda politike, por vetëm me ekonomi reale, prodhim, investime dhe partneritet me biznesin tha në fund Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: