Ministri izraelit, Smotrich: Po e vrasim idenë e një shteti palestinez duke shembur ndërtesa në Bregun Perëndimor

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë deklarata të forta lidhur me politikën izraelite në Bregun Perëndimor, duke thënë se gjatë mandatit aktual “de facto po vritet ideja e një shteti palestinez”. Në një prononcim publik, Smotrich tha se, sipas tij, në terren është vërejtur një ndryshim i qartë në dinamikën e ndërtimit, ku…

Bota

15/05/2026 11:39

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë deklarata të forta lidhur me politikën izraelite në Bregun Perëndimor, duke thënë se gjatë mandatit aktual “de facto po vritet ideja e një shteti palestinez”.

Në një prononcim publik, Smotrich tha se, sipas tij, në terren është vërejtur një ndryshim i qartë në dinamikën e ndërtimit, ku është ndalur ndërtimi i paligjshëm palestinez në Bregun Perëndimor. Ai theksoi se për herë të parë është përmbysur trendi, duke u rritur numri i shembjeve të ndërtesave në krahasim me ndërtimet e reja.

“Për herë të parë e kemi përmbysur trendin: më shumë shembje sesa ndërtime. Kjo do të thotë se drejtimi është kthyer mbrapsht”, u shpreh ai.

Sipas tij, autoritetet po ndërmarrin masa të ashpra ndaj ndërtimeve, përfshirë shembjen e ndërtesave shumëkatëshe. Ai argumentoi se këto veprime krijojnë efekt frenues në aktivitetin e ndërtimit, duke shtuar se “askush nuk dëshiron të investojë në një fond humbës”.

Smotrich gjithashtu njoftoi se Izraeli po lëviz drejt një procesi të ri të regjistrimit të tokës në Bregun Perëndimor, një iniciativë që sipas tij nuk është zbatuar që nga periudha pas Luftës Gjashtëditore. Ai e paraqiti këtë si një hap administrativ me ndikim afatgjatë në menaxhimin e tokës në territor.

Deklaratat e tij pritet të nxisin reagime të reja ndërkombëtare, duke qenë se çështja e Bregut Perëndimor mbetet një nga pikat më të ndjeshme të konfliktit izraelito-palestinez dhe një nga temat kryesore në diskutimet për zgjidhjen me dy shtete.