Protesta në Ukrainë pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes, kritikët e quajnë vendimin gabim të madh të Zelenskyt
Në disa qytete të Ukrainës janë mbajtur protesta pas vendimit të papritur të presidentit Volodymyr Zelensky për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, një figurë që gëzonte mbështetje të gjerë në ushtri dhe opinionin publik. Në Kiev, qindra qytetarë, kryesisht të rinj, u mblodhën me pankarta ku shkruhej “Larg duart nga Fedorov” dhe “Ndalni…
Bota
Në disa qytete të Ukrainës janë mbajtur protesta pas vendimit të papritur të presidentit Volodymyr Zelensky për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, një figurë që gëzonte mbështetje të gjerë në ushtri dhe opinionin publik.
Në Kiev, qindra qytetarë, kryesisht të rinj, u mblodhën me pankarta ku shkruhej “Larg duart nga Fedorov” dhe “Ndalni sabotimin e fitores”, ndërsa brohoritën “Turp!”.
Protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit, shkruan BBC.
Zelensky ende nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për vendimin, i cili ka shkaktuar reagime të forta mes analistëve, pjesëtarëve të ushtrisë dhe shoqërisë civile.
Fedorov, 35 vjeç, ishte emëruar ministër i Mbrojtjes në janar dhe konsiderohej si një nga reformatorët kryesorë të sektorit të mbrojtjes. Atij i atribuohet lufta kundër korrupsionit, modernizimi i ministrisë, zhvillimi i teknologjisë ushtarake dhe përdorimi i dronëve në operacionet kundër forcave ruse.
Deputetët ukrainas pritet të votojnë për emërimin e ministrit të Brendshëm, Ihor Klymenko, si pasues të Fedorovit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas mediave ukrainase, shkarkimi mund të lidhet me mosmarrëveshjet mes Fedorovit dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrskyi, si dhe me kritikat për ritmin e reformimit të mobilizimit ushtarak.
Një ushtar ukrainas, i identifikuar si Oleksandr, e cilësoi vendimin si “gabimin më të madh të Zelenskyt gjatë gjithë presidencës së tij”, duke shtuar se nuk njeh askënd në ushtri apo në shoqëri që e mbështet zëvendësimin e Fedorovit.
Edhe komandanti i njohur i njësive të dronëve, Pavlo Yelizarov, dha dorëheqjen nga posti i zëvendëskomandantit të Forcave Ajrore në shenjë proteste, duke e cilësuar largimin e Fedorovit si “një dëm të madh për aftësinë mbrojtëse të vendit”.