Nga dënimi me burg të përjetshëm, Supremja ia zbut në 30 vite burgim dënimin Edmond Lajçit të dënuar për vrasjen e Gjyljeta Ukellës

Gjykata Supreme e Kosovës, ka marrë vendim për Edmond Lajçin, të dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe ajo e Apelit për vrasjen e Gjyljeta Ukellës. Supremja ka vendosur që Lajçit, t’i zbutet dënimi me 30 vjet burgim, dhe t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët…

Lajme

16/07/2026 15:49

Gjykata Supreme e Kosovës, ka marrë vendim për Edmond Lajçin, të dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe ajo e Apelit për vrasjen e Gjyljeta Ukellës.

Supremja ka vendosur që Lajçit, t’i zbutet dënimi me 30 vjet burgim, dhe t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët e tjera aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe asaj të Apelit kanë mbetur të pandryshuara.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë vërtetuar drejt gjendjen juridike lidhur me fajësinë e të pandehurit dhe cilësimin juridik të veprave penale, ndërsa nuk ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje të ligjit penal në këtë aspekt. Po ashtu, ka vlerësuar se, pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri, pretendimet ankimore për vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike nuk ishin të lejuara sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, ka njoftuar Supremja.

Ajo ka vlerësuar se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk e kanë zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, një pjesë e rrethanave të konsideruara si veçanërisht rënduese nuk kanë pasur mbështetje në prova, ndërsa disa prej tyre përbëjnë elemente të vetë veprës penale dhe, për këtë arsye, nuk mund të justifikojnë shqiptimin e dënimit më të rëndë, të paraparë me ligj. Gjykata Supreme ka theksuar se burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk është plotësuar ky standard ligjor.

“Duke u mbështetur në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit të dënimit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe se me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm”, ka thënë më tej Supremja. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: