Matoshi: Qytetarët duhet ta pyesin Kurtin se cilat janë qëllimet e tij të fshehta, pasi që me 51 për qind nuk po krijon stabilitet institucional dhe po kërkon 60 për qind

Analisti politik dhe gazetari i njohur, Halil Matoshi ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike, parafushatën e partive dhe pritjet për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Duke folur për mënyrën se si partitë politike po e zhvillojnë parafushatën, Matoshi u shpreh kritik ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të cilin tha se po…

Lajme

09/05/2026 22:06

Analisti politik dhe gazetari i njohur, Halil Matoshi ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike, parafushatën e partive dhe pritjet për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Duke folur për mënyrën se si partitë politike po e zhvillojnë parafushatën, Matoshi u shpreh kritik ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të cilin tha se po ndërton mbështetje përmes populizmit, ndërsa opozita, sipas tij, nuk po arrin ta bindë elektoratin me alternativat që ofron.

“Albin Kurti, me populizmin e tij (nacionalizëm majtist), ia ka krijuar frymën popullore me mashtrim, kurse partitë tjera nuk po mund ta bindin qytetarin kosovar me të vërtetën. Kurti po bën fushatë për Kuvend pa opozitë dhe normalizim të suspendimit të Kushtetutës, kurse të tjerët po luftojnë ta kthejnë Kosovën në normalitet. Qytetarët kosovarë duhet ta pyesin Kurtin se cilat janë qëllimet e tij të fshehta, pasi që me 51 për qind nuk po krijon stabilitet institucional dhe po kërkon 60 për qind”, deklaroi Matoshi për Lajmi.net.

Ai foli edhe për aderimet politike që kanë ndodhur para zgjedhjeve, duke veçuar ish-deputeten Aida Dërguti si lëvizjen që i ka bërë më së shumti përshtypje.

“Aida Dërguti, një grua e fortë që iu bashkua PDK-së”, tha ai shkurtimisht.

Për lajmi.net, Matoshi komentoi edhe pritjet për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, duke paralajmëruar se mund të ketë rënie të daljes në votime.

Sipas tij, një pjesë e qytetarëve të zhgënjyer po zgjedhin të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor, gjë që, sipas tij, ndikon drejtpërdrejt në vazhdimësinë e pushtetit aktual.

“Do të ketë më pak dalje në zgjedhje, sepse qytetarët e zemëruar nuk e ndërrojnë pushtetin, ata ua zgjasin jetën me mospjesëmarrje”, u shpreh Matoshi./lajmi.net/