Kurti e quan historik aplikimin për antarësim në BE: Kosova sot është demokracia më e zhvilluar dhe ekonomia me rritjen mesatare më të lartë në rajon

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shënuar Ditën e Evropës me një mesazh ku ka theksuar rrugëtimin historik të Bashkimit Evropian dhe aspiratat e Kosovës për integrim në këtë union. Duke iu referuar Robert Schumanit, Kurti tha se projekti evropian është ndërtuar gradualisht mbi bashkëpunimin dhe solidaritetin mes shteteve evropiane, duke u shndërruar…

Lajme

09/05/2026 21:02

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shënuar Ditën e Evropës me një mesazh ku ka theksuar rrugëtimin historik të Bashkimit Evropian dhe aspiratat e Kosovës për integrim në këtë union.

Duke iu referuar Robert Schumanit, Kurti tha se projekti evropian është ndërtuar gradualisht mbi bashkëpunimin dhe solidaritetin mes shteteve evropiane, duke u shndërruar në një model paqeje afatgjatë pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton lajmi.net.

“Evropa nuk do të bëhet menjëherë apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete”, citoi Kurti deklaratën e Schumanit.

Ai theksoi se BE-ja është ndërtuar mbi parimet e drejtësisë dhe përgjegjësisë, duke përmendur edhe proceset historike si Gjykimi i Nurembergut dhe krijimin e institucioneve të përbashkëta evropiane që, sipas tij, shndërruan rivalët në partnerë.

Kurti bëri dallim mes historisë së Evropës dhe asaj të Kosovës, duke thënë se vendi ka kaluar përmes konflikteve të rënda dhe gjenocidit gjatë shekullit të kaluar, çka e bën projektin evropian edhe më të rëndësishëm për rajonin.

Ai theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje zhvillimi ekonomik, por edhe garanci për paqe të qëndrueshme në kontinent.

Duke folur për Kosovën, Kurti tha se vendi tashmë është ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajon dhe demokraci e konsoliduar, duke shtuar se proceset integruese kanë hyrë në një fazë të re.

Ai kujtoi aplikimin për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e vizave si arritje të mandatit të kaluar, ndërsa tha se prioritet i ardhshëm do të jetë marrja e statusit të kandidatit dhe hapja e negociatave për anëtarësim.

Postimi i plotë:
“Evropa nuk do të bëhet menjëherë apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat së pari krijojnë një solidaritet de fakto.”
Me këto fjalë, Robert Schuman e nisi projektin më të madh paqësor që ka njohur kontinenti ynë.
Bashkimi Evropian lindi mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Brenda tri dekadave, Evropa kishte përjetuar dy luftëra shkatërruese, dhe nevoja për një paqe të qëndrueshme ishte bërë ekzistenciale.
Por paqja nuk u ndërtua mbi harresë. Ajo u ngrit mbi drejtësinë e gjyqit të Nurembergut dhe mbi përgjegjësinë ndaj viktimave të luftës. Pra, mbi një paqe të drejtë.
Drejtësia dhe përgjegjësia u pasuan nga vizioni i bashkëpunimit. Çelësi i paqes që gëzon Evropa prej afër tetë dekadash ishte te krijimi i institucioneve të përbashkëta që i shndërruan rivalët historikë në partnerë. Kështu lindi Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, dhe që nga viti 1951 deri sot, Evropa është ndërtuar hap pas hapi, pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Schuman.
Ndërkohë, Kosova e jetoi shekullin e njëzetë ndryshe. Përveç dy luftërave botërore dhe luftërave të tmerrshme ballkanike, ne përjetuam edhe gjenocidin serb në fillim dhe në fund të tij. Për ne, projekti evropian mbeti një premtim i pambaruar paqeje deri në fund të shekullit.
Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi në Bashkimin Evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të anëtarësohen nuk është thjesht çështje prosperiteti dhe mirëqenieje. Është domosdoshmëri për të siguruar paqen e qëndrueshme në Evropë.
Kosova sot është demokracia më e zhvilluar dhe ekonomia me rritjen mesatare më të lartë në rajon.
Aplikimi për anëtarësim dhe liberalizimi i vizave ishin hapat historikë të mandatit që shkoi.
Mandati që vjen do të jetë për statusin e kandidatit, hapjen e negociatave, dhe avancimin që Kosova e ka merituar prej kohësh.
Gëzuar Ditën e Evropës!/lajmi.net/