Trump mirëpret hapjen e Hormuzit, por paralajmëron vazhdimin e bllokadës ndaj Iranit deri në marrëveshje të plotë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet e fundit mes SHBA-së dhe Iranit, duke komentuar si hapjen e Ngushticës së Hormuzit ashtu edhe ecurinë e negociatave mes dy palëve. Fillimisht, Trump ka mirëpritur njoftimin e Iranit për rihapjen e korridorit strategjik detar, duke e përshkruar si një…

Bota

17/04/2026 16:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet e fundit mes SHBA-së dhe Iranit, duke komentuar si hapjen e Ngushticës së Hormuzit ashtu edhe ecurinë e negociatave mes dy palëve.

Fillimisht, Trump ka mirëpritur njoftimin e Iranit për rihapjen e korridorit strategjik detar, duke e përshkruar si një zhvillim pozitiv, transmeton lajmi.net.

“Irani sa ka lajmëruar se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe gati për kalim. Faleminderit”, ka shkruar ai në platformën e tij Truth Social.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, ka konfirmuar më herët se “kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur”.

Megjithatë, pavarësisht këtij zhvillimi, Trump ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bllokadën ndaj anijeve dhe porteve iraniane derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Sipas tij, masat do të mbeten në fuqi deri në përmbylljen “100%” të negociatave me Teheranin.

“Bllokada amerikane do të mbetet në fuqi të plotë derisa negociatat me Iranin të përfundojnë 100%”, ka deklaruar Trump, duke shtuar se procesi mund të ecë shpejt pasi “shumica e pikave tashmë janë negociuar”.

Ai ka theksuar gjithashtu se pret përmbyllje të shpejtë të marrëveshjes, në një kohë kur raportimet në SHBA flasin për presion politik në rritje ndaj administratës së tij për t’i dhënë fund tensioneve dhe përshkallëzimeve në rajon./lajmi.net/