Antimafia italiane shkatërron grupin shqiptar të drogës, 28 persona arrestohen
Që nga orët e para të së martës, më 14 prill, në Itali është duke u zhvilluar operacioni i koduar “Daku”, në kuadër të të cilit Policia e Shtetit ka ekzekutuar 28 masa paraprake në disa provinca të vendit. Shumica e personave të ndaluar janë shtetas shqiptarë. Mediat italiane raportojnë se operacioni në fjalë është…
Bota
Që nga orët e para të së martës, më 14 prill, në Itali është duke u zhvilluar operacioni i koduar “Daku”, në kuadër të të cilit Policia e Shtetit ka ekzekutuar 28 masa paraprake në disa provinca të vendit. Shumica e personave të ndaluar janë shtetas shqiptarë.
Mediat italiane raportojnë se operacioni në fjalë është koordinuar nga strukturat Antimafia dhe njësitë operative të Trentos, me përfshirjen edhe të Seksionit Hetimor të Shërbimit Qendror të Operacioneve në Trieste. Hetimet janë përqendruar në një rrjet të dyshuar për trafik droge që vepronte kryesisht në provincën e Bolzanos.
Sipas autoriteteve, grupi kriminal merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Aksioni vijon ende dhe pritet të dalin në dritë detaje të reja në vijim.
Emri i operacionit “Daku” lidhet me një nofkë të përdorur mes anëtarëve të dyshuar të grupit, kryesisht shqiptarë.
Masat e sigurisë po zbatohen nga Skuadra Fluturuese e Bolzanos, në bashkëpunim me forcat policore nga disa qytete të tjera si Belluno, Trento, Venecia, Verona dhe Vicenza, si dhe njësitë speciale hetimore dhe të parandalimit të krimit nga zona të ndryshme të Italisë.
Nga 28 të dyshuarit, 10 janë vendosur në burg, 8 në arrest shtëpiak, ndërsa 10 të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesat e tyre.
Operacioni ka përfshirë gjithashtu edhe provinca të tjera si Barletta-Andria-Trani, Brescia, Monza Brianza, Pordenone dhe Sondrio.