Lutfi Haziri e konfirmon: Në takimin Kurti-Abdixhiku është folur për një marrëveshje politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se në ciklin e dytë të takimeve mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit është diskutuar për marrëveshje mes këtyre dy partive. Ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë takimi i parë ka qenë konstruktiv dhe se bisedimet do…

Lajme

09/04/2026 22:02

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se në ciklin e dytë të takimeve mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit është diskutuar për marrëveshje mes këtyre dy partive.

Ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë takimi i parë ka qenë konstruktiv dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

“z.Abdixhiku ka pas takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, në rastin e parë është biseduar për një proces konsensual e në rastin  dytë po flitet për një marrëveshje  LDK-LVV. Takimi i parë ka qenë në frymë konstruktive edhe në mundësi që roli jonë si LDK, si grup parlamentar me u afrua, konfirmon ftesës që Kurti e ka bë. Ftesa e njëjtë është thënë se do t’i përcillet edhe PDK-së dhe cikli i ri i takimeve do të vazhdojnë”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se nëse arrihet marrëveshje, LDK e zbaton, por ai ka thënë se insistimi i Kurtit se duhet një marrëveshje me mbi 84 deputetë, tregon për mosbesim të deputetëve brenda Grupit Parlamentar të LVV-së.

“Këtu është një problem i madh,mosbesim në deputet jo të LDK-së, por brenda grupit më të madh politik. A ka deputet brenda grupit të Lëvizjes Vetëvendosje që janë shpreh kundra një procesi të ndërtuar me LDK-në”, ka thënë Haziri.

Ai është shprehur se për një marrëveshje për presidentin është vonë dhe sipas tij kjo do duhej të arrihej në muajin janar.

“Nëse me pyetni mua, ne jemi vonë. Çështja e presidentit ka mundur të definohet në janar. Na po flasim përtej mandatit ku kemi një ushtrues detyre tani dhe ku ka vullnet politik është dashur të kryhet me grupe politike në janar”, ka thënë Haziri.

Në takimin e zhvilluar tri ditë më parë mes Kurtit dhe Abdixhikut u tha se takimi ishte konstruktiv, por që nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete.

“Bëmë përpjekje për të gjetur zgjedhje, brenda përpjekje diskutuam për natyrën dhe modalitetet e kësaj zgjidhjeje se si duket. Nuk kemi emra konkretë, nuk kemi arritur në atë fazë”, tha kreu i LDK-së, pas takimit.

Edhe shefi i ekzekutivit tha se duan t’i shmangin zgjedhjet e reja.

“Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të vendosur që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Ne jemi përpjekur edhe më herët dhe përzgjedhja e kandidatit tonë, Glauk Konjufca, u zyrtarizua më pak se 30 orë para mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit, ndërsa kundërkandidatja e tij, Fatmire Kollcaku, u propozua më pak se 3 orë më vonë. Pra, kemi bërë përzgjedhje të detyruar brenda subjektit tonë në ndërkohë kur askush nuk nxirrte asnjë propozim për kandidat dhe tani ndodhemi ku ndodhemi”, u shpreh Kurti.