DASH për vizitën e Sorensenit: Dialogu i BE është kanali i autorizuar për progres në normalizim, përgëzojmë palët për marrëveshjen
Pas vizitës që më 21 mars 2026 kishte pasur në Washington emisari i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, dhe pas takimit me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, kishte njoftuar se BE dhe SHBA janë në një linjë sa i përket rrugës përpara në procesin e negociatave. Lidhur me këtë…
Lajme
Pas vizitës që më 21 mars 2026 kishte pasur në Washington emisari i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, dhe pas takimit me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, kishte njoftuar se BE dhe SHBA janë në një linjë sa i përket rrugës përpara në procesin e negociatave.
Lidhur me këtë takim në Washington DC kanë folur për Gazetën Express nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Një zëdhënës i DASH në pyetjet lidhur me marrëveshjet e Dialogut dhe Asociacionin, ka thënë se rregullimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për paqe dhe stabilitet në rajon.
Ky zëdhënës ka thënë se platforma e Dialogut të Brukselit është rruga e vendosur që të dy shtetet të normailzojnë raportet mes veti.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Dialogu i BE-së është një kanal i vendosur për Prishtinën dhe Beogradin për të bërë përparim në normalizim”, ka thënë një zëdhënës i DASH.
Derisa sa i përket arritjes së marrëveshjes së fundit për Ligjin për të Huajt, ky zëdhënës ka deklaruar se SHBA e mirëpret arritjen e marrëveshjes dhe faktin që palët janë pajtuar reciprokisht.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin e marrëveshjes së arritur mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët”, ka shtuar tutje ky zëdhënës.
Derisa sa i përket bisedave në takimin me emisarin e BE’së Peter Sorensen, nga DASH nuk kanë pranuar që të japin komente.
Sorensen pas takimit me Hanrahan kishte njoftuar se kishin biseduar për Dialogun, marrëvreshjet e fundit të arritura dhe kishte thënë se BE e SHBA janë në një linjë sa i përket rrugës përpara.