Kurti vendos t’i besoj Kushtetueses për dekretin e Osmanit, ndonëse dikur e quante “hije të opozitës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi ka shprehur besim në rolin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se vendimi i saj është vendimtar për situatën e krijuar pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se pa një qëndrim të kësaj gjykate nuk mund…

Lajme

07/03/2026 15:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi ka shprehur besim në rolin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se vendimi i saj është vendimtar për situatën e krijuar pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se pa një qëndrim të kësaj gjykate nuk mund të diskutohet për zgjedhje të reja, transmeton lajmi.net.

“Tash ndodhemi në një situatë ku unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kërkesë para këtyre. Ata kanë një materie, të cilën tash duhet ta trajtojnë”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi gjithashtu se mandati i deputetëve të zgjedhur nuk ka zgjatur as një muaj.

“Deputetët që u zgjodhën për katër vjet, nuk i mbushën as katër javë të detyrës së tyre dhe sot në mëngjes u njoftuan nga mediat se me dekret u shpërnda Kuvendi”, është shprehur ai.

Megjithatë, kjo qasje e kryeministrit dallon nga deklaratat e tij të mëhershme ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilën në disa raste e kishte kritikuar ashpër.

Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje vitin e kaluar, Kurti kishte deklaruar se kjo gjykatë po vepron si “një hije e opozitës” ndaj partisë së tij.

“E dinë që ndodhet Gjykata Kushtetuese, e cila po funksionon si një hije e opozitës ndaj Vetëvendosjes”, kishte thënë ai, duke kritikuar edhe vendimet e saj që sipas tij kishin penguar nisma të qeverisë.

Ai kishte shtuar se “në 8 raste me vendimet e tyre kanë penguar nismat reformuese qëllimmira të qeverisë, duke i shpallur ato si antikushtetuese”.

Kritikat e tij kishin vazhduar edhe më tej, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e gjykatës dhe duke sugjeruar se ajo vepron me ndikim politik.

“Unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata”, kishte deklaruar Kurti në një intervistë, duke shtuar se disa vendime të kësaj gjykate nuk i konsideron të pranueshme./lajmi.net/