​“Më është dukur sikur po ma marrin shtëpinë”, shqiptarja nga Lugina flet me emocione për regjistrimin e padisë në Strasburg

“Më është dukur sikur po ma marrin shtëpinë”, kështu e përshkruan pasivizimin e padrejtë të adresës nga Serbia. Teuta Fazliu është lindur dhe rritur në Bujanoc. Për shkak të diskriminimit në punësim dhe arsim, ajo është detyruar të vijë në Prishtinë për të gjetur punë. Tërë këto vite, ajo pothuajse çdo javë është kthyer në…

Lajme

03/03/2026 17:30

“Më është dukur sikur po ma marrin shtëpinë”, kështu e përshkruan pasivizimin e padrejtë të adresës nga Serbia.

Teuta Fazliu është lindur dhe rritur në Bujanoc. Për shkak të diskriminimit në punësim dhe arsim, ajo është detyruar të vijë në Prishtinë për të gjetur punë. Tërë këto vite, ajo pothuajse çdo javë është kthyer në shtëpinë ku e ka edhe familjen.

Muaj të tërë kishte qëndruar në vendlindje edhe gjatë pandemisë në Bujanoc, por pikërisht në atë kohë autoritetet serbe vendosën t’ia pasivizonin adresën.

Këtë nuk e kishte përjetuar lehtë, prandaj ndoqi rrugë ligjore. Fillimisht kërkoi drejtësi në Serbi, por pa sukses. Në shtator dorëzoi padi në Gjykatën Evropiane që merret më të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Për herë të parë, një lëndë e tillë për pasivizim adresash është regjistruar nga kjo gjykatë.

“Në momentin që të pasivizohet adresa dhe kur e kupton që është politike, ndihesh shumë keq. Unë e kam përjetuar shumë rëndë, kam qenë edhe atë kohë shtatzënë në vajzën dhe e kam përjetuar shumë rëndë, domethënë se më është dukur sikur po ma marrin shtëpinë. Ka qenë shumë emocionuese, për mua është rikthimi i identitetit kombëtar….Secili dëshiron të jetë në vendin e vet, të punojë në vendin e vet, por politikat janë këto”, flet e emocionuar shqiptarja nga Bujanoci.

Teuta Fazliu punon tash e 20 vjet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në Prishtinë. Kjo, sic thotë edhe Teuta është edhe arsyeja pse Serbia politikisht ka pasivizuar adresën e saj në Bujanoc.

“Pasivizimi ka filluar fillimisht tek ata qytetarë të cilët punojnë në Qeverinë e Kosovës, sepse vendimi i parë që është nxjerrë nga Serbia ka qenë që unë punoj në institucionet e Kosovës, jam martuar, edhe jam e martuar me kosovar. Domethënë, ky ka qenë një arsyetim shumë banal domethënë nga ana e tyre”, shton ajo për KosovaPress.

Pasivizimi i adresës ua pamundëson shqiptarëve të Luginës të Preshevës që të aplikojnë për leje qëndrim, kartelë shëndetësore, të kenë të drejtë në pronë e votë.

Teuta Fazliu ishte pasivizuar pikërisht në kohën sa qëndronte në vendlindjen e saj.

“Unë kam punuar në Prishtinë, në vikende kam shkuar e kam kaluar në Bujanoc tek prindërit dhe në 2020-ën kam qenë gjithë kohës në kohën e pandemisë atje kur unë jam pasivizuar. Domethënë, ata kanë deklaruar që unë në prill kam qenë vizitë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse unë në prill kam qenë aty edhe nuk ka pasur lëvizje atëherë, domethënë, jo të qytetarëve, po as të institucioneve, ka qenë një bllokim shumë i madh i pandemisë dhe kam qenë prej marsit deri në shtator në Bujanoc dhe unë jam pasivizuar në maj të po atij vitit.

Ditën e djeshme, avokati Drini Grazhdani ka njoftuar se Gjykata e Strasburgut për herë të parë ka regjistruar padinë e dorëzuar kundër Serbisë, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur ndaj Teuta Fazliu.

“Unë jam pasivizuar në vitin 2020, pas pasivizimit i kam ndjekur hapat ligjor duke dërguar ankesën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Gjykatën Administrative dhe të gjitha këto janë përgjigjur negativisht. Pastaj kam dorëzuar, së fundmi do të thotë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar që ta di se a kam shkelje të të drejtave të njeriut apo jo. Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim se nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe pas shterimit të të gjitha instancave gjyqësorit në Serbi kam vazhduar do të thotë në Gjykatën e Strasburgut, me ndihmën e avokatit Drinit”, thekson ajo.

Padinë në Gjykatën e Strasburgut, ajo e konsideron si hap të madh e të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët nga Lugina e Preshevës.

“Padia në Gjykatën e Strasburgut për mua ka qenë mision kombëtar”

“Është një hap shumë i rëndësishëm dhe shumë i madh për të gjithë ata të cilët janë prekur nga kjo çështje. Është profitabile domethënë për të gjithë të cilët janë prekur. Për mua ka qenë jo vetëm një rast individual, po ka qenë një mision kombëtar që unë kam dashur që kjo çështje të shkojë deri në fund dhe të dokumentojmë dhe të dëshmojmë që ne domethënë kemi jetuar atje, domethënë i kemi shtëpitë tona, i kemi pronat tona, i kemi familjet tona dhe adresa domethënë është një shkelje e të drejtave të njeriut, e një e drejte elementare. Normalisht që është një sukses shumë i madh që një shqiptar të dërgojë domethënë lëndën deri në Gjykatën e Strasburgut dhe uroj që Gjykata e Strasburgut të nxjerrë një vendim pozitiv, sepse pastaj do të kenë lehtësira edhe për qytetarët e tjerë të cilët janë të pasivizuar, sepse kanë hezituar t’i ndjekin hapat ligjor, edhe do të jetë më e lehtë edhe për ata”, përfundon Teuta Fazliu.

Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është protestuar para dy vitesh me moton “Për identitet dhe dinjitet”. Me dhjetëra qytetarë kanë marrë pjesë në këto tri protesta kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë.

Pasivizimi i adresave në masë të madhe ka nisur në vitin 2020 në tri komunat me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës.