Hamza: Në takim me Kurtin s’ka pasur prezantim të ndonjë emri, diskutuam për parime

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka dhënë detaje nga takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. “Kemi biseduar për tema të ndryshme. Sigurisht se për PDK-në, e kam thënë dhe e ripërsëris, interesi i Kosovës është para interesit politik. Besoj që në këtë…

Lajme

23/02/2026 21:14

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka dhënë detaje nga takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

“Kemi biseduar për tema të ndryshme. Sigurisht se për PDK-në, e kam thënë dhe e ripërsëris, interesi i Kosovës është para interesit politik. Besoj që në këtë drejtim kemi reflektuar”, ka deklaruar Hamza gjatë intervistës në “Debat Plus”.

Sipas Hamzës, megjithëse Kuvendi është konstituuar dhe është zgjedhur Qeveria, procesi politik nuk mund të konsiderohet i përmbyllur pa zgjedhjen e Presidentit.

“Është konstituuar Kuvendi, është zgjedhur qeveria. Mirëpo ky proces nuk përmbyllet pa zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes. Vendi s’mund të jetë pa zgjedhjen e Presidentit, sepse dihet që më 4 mars është dita e fundit kur vendi duhet ta ketë Presidentin e ri”, ka thënë ai.

Hamza ka sqaruar se në takimin me Kurtin nuk është diskutuar për interesa partiake dhe nuk janë përmendur emra konkretë për postin e Presidentit.

“I jam përgjigjur ftesës së Kurtit dhe kam thënë që PDK gjithmonë ka vepruar në atë mënyrë që nuk kam vendosur vija të kuqe. Unë dje nuk kam shkuar të bëj marrëveshje politike për të kërkuar që ne të kemi hise apo të përfitojmë diçka politikisht apo të bëjmë ndonjë pazar politik. Në takim nuk ka pasur prezantim të ndonjë emri. Asnjë emër nuk është përmendur. Kemi diskutuar për parime, rregulla”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.