​Ushtarët e Kosovës drejt Gazës? Qytetarët: Ia kemi borxh atyre që na ndihmuan

Përfshirja e mundshme e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision paqeruajtës në Gaza nga qytetarët shihet si një përparim, një dëshmi e pjekurisë së shtetit dhe një kthim i borxhit historik ndaj atyre që e ndihmuan Kosovën në kohërat më të vështira. Sabit Bllaca mendon se angazhimi potencial i FSK-së…

Lajme

23/02/2026 16:03

Përfshirja e mundshme e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision paqeruajtës në Gaza nga qytetarët shihet si një përparim, një dëshmi e pjekurisë së shtetit dhe një kthim i borxhit historik ndaj atyre që e ndihmuan Kosovën në kohërat më të vështira.

Sabit Bllaca mendon se angazhimi potencial i FSK-së nuk është thjesht një operacion ushtarak, por përmbushje e një obligimi moral dhe ndërkombëtar.

“Ajo është shumë pozitive për ne, është një përparim i mirë për Kosovë…(Ushtarët) i ka shumë të përgatitur dhe ma merr mendja se kanë me pas sukses.. E kemi obligim për ta kthyer të mirën”, tha ai.

Një qytetar tjetër, që nuk deshi të prezentohej, përfshirjen e FSK-së në Gaza e quan hap përpara të Kosoëvs.

“Një lloj arritjeje, përparimi, besimi…Ne kemi marr atë rrugë, nuk ka pa mund….Nëse do të përparosh të hysh në arenën ndërkombëtare e në organizata ndërkombëtare duhet marr pjesë“, theksoi ky qytetar.

Edhe për Sejdi Llapajn përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza është përparim.

“Veç përparim…për të mirë po mundohen…Ka të fort e mbi të fortë. Ne në takatin tonë punojmë boll”, theksoi ai.

Elmi Bajraktari, duke e cilësuar si hap pozitiv për Kosovës, e sheh të udhës që ushtarët kosovarë të jenë krah amerikanëve në këtë mision.

“Tjetër kush i forti është. Këta janë ushtarë, ushtarët janë ushtarë për ta dhënë një kontribut të mirë edhe të amerikanë bënë pse mos të shkojnë“, tha ai.

Ani pse nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nëse shteti më i ri në Evropë, Kosova, do të udhëheqë trupat që do ta ruajnë zonën problematike, nëpër faqe të ndryshme në internet që raportojnë për siguri, janë publikuar harta, në të cilat Kosova figuron si përgjegjëse për Gazën Veriore.

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, të premten në Uashington, e ka falënderuar Kosovën për angazhimin në këtë nismë, duke e cilësuar vendin si anëtar themelues në Bordin e Paqes dhe si kontribuues për ISF-në në Gaza, bashkë me Indonezinë, Kazakistanin, Marokun dhe Shqipërinë. Kjo e fundit, figuron si përgjegjëse për zonën Deir al Balah.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese për Rripin e Gazës pritet të ketë rreth 20 mijë ushtarë, 8 mijë nga të cilët i ka premtuar Indonezia, një gjeneral i të cilit vend do të jetë zëvendëskomandant i kësaj trupe.

Po ashtu, sigurisë në këtë pjesë pritet t’i kontribuojnë edhe 12 mijë policë, shumica e të cilëve pritet të vijnë nga Egjipti dhe Jordania.