Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere është shoqëruar me debat të ashpër ndërmjet përfaqësuesve të opozitës dhe ministrit të Financave lidhur me reflektimin e një aktgjykimi të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Projektbuxhetin e vitit 2026.
Anëtarët e PDK-së në komision, Mergim Lushtaku dhe Kujtim Gashi, reaguan ashpër ndaj mënyrës se si Qeveria ka trajtuar çështjen e zbatimit të aktgjykimit, duke e cilësuar si të papranueshme mosreflektimin e plotë të tij në projektligjin për ndarjet buxhetore.
Lushtaku tha se, pavarësisht reagimeve nga sindikatat dhe organizata të ndryshme, Qeveria nuk ka treguar seriozitet në planifikimin buxhetor për ta adresuar këtë çështje me kohë. Sipas tij, vetë ministri e ka pranuar se shteti nuk mund t’i shmanget obligimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shkruan lajmi.net.
Ai theksoi se si komision, pa dallim partie, duhet të mbështesin kërkesat ligjore dhe të deputetëve, përfshirë edhe të tijat dhe të deputetit Përparim Gruda, për realizimin e një të drejte të cenuar që tashmë është konstatuar nga Kushtetuesja. Sipas Lushtakut, fakti që çështja është lënë për trajtim të mëvonshëm dëshmon mungesë serioziteti nga Qeveria Kurti dhe Ministria e Financave.
Në të njëjtën linjë, Kujtim Gashi tha se nuk e kishte menduar që në komision do të diskutohej një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, pasi – sipas tij – një vendim i tillë duhet të zbatohet dhe jo të vihet në diskutim politik. Ai pranoi se mund të ketë implikime buxhetore, por theksoi se kjo nuk mund të jetë arsye për mosinkorporimin e tij në projektbuxhet.
“Ne kemi një vendim të një organi kushtetues dhe ai duhet të akomodohet në buxhetin e Republikës së Kosovës. Mund të diskutojmë për koston apo kohën e kalkulimit, por mosreflektimi i tij është totalisht i papranueshëm”, u shpreh Gashi.
Nga ana tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka kërkuar reflektim në Ligjin për Paga dhe jo drejtpërdrejt në Ligjin për Buxhetin. Ai tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa që përmes Ligjit të Buxhetit të sanohet situata të paktën nga 1 janari i këtij viti, periudhë që mbulohet nga ligji aktual për ndarje buxhetore.
Sipas Muratit, është planifikuar një shumë në kategorinë e kontingjencës për pagesat për këtë vit fiskal, ndërsa shpërndarja e mjeteve nëpër organizata buxhetore dhe komuna do të bëhet pas hyrjes në fuqi të buxhetit. Ai paralajmëroi se pagesat pa këtë shpërndarje do të rrezikonin deficit në fund të vitit.
Ministri shtoi se çështjet që kanë efekt retroaktiv përtej afatit ligjor të një buxheti vjetor kërkojnë trajtim të veçantë dhe përllogaritje shtesë, të cilat – sipas tij – do të adresohen në rishikimin e buxhetit, ku do të kërkohet hapësirë fiskale për mbulimin e kostos shtesë.
Në fund të mbledhjes, Komisioni votoi propozimin për ndryshimin e nenit 12 dhe nenit 14, paragrafi 11, bazuar në propozimet e Zyrës Ligjore të Kuvendit. Propozimi kaloi me 10 vota për dhe një abstenim – votim që nxiti reagimin e anëtarëve të PDK-së, të cilët kundërshtuan mënyrën e trajtimit të çështjes në projektbuxhet. /Lajmi.net/