​Kisha Katolike uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Të jemi ndërtues të shtetit tonë

Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zëdhënësi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Don Fatmir Koliqi, në emër të Kishës Katolike në Kosovë, ka uruar qytetarët, duke e cilësuar këtë ditë si një moment mirënjohjeje ndaj Zotit dhe sakrificës së brezave. Në mesazhin e tij, ai shprehu falënderim për “dhuratën e madhe” të lirisë dhe për…

Lajme

17/02/2026 09:04

Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zëdhënësi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Don Fatmir Koliqi, në emër të Kishës Katolike në Kosovë, ka uruar qytetarët, duke e cilësuar këtë ditë si një moment mirënjohjeje ndaj Zotit dhe sakrificës së brezave.

Në mesazhin e tij, ai shprehu falënderim për “dhuratën e madhe” të lirisë dhe për gëzimin vëllazëror që qytetarët e Kosovës jetojnë së bashku në vendin e të parëve, transmeton KosovaPress.

Dita e Pavarësisë, siç tha ai, shënon realizimin e një ideali të gjatë historik të popullit të Kosovës – një ideal që jetoi ndër mote si ëndërr, lutje, sakrificë dhe qëndresë. “Ata pritën gjatë, duruan padrejtësi, sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre dhe, së fundmi, me një luftë të ndershme për liri e dinjitet, realizuan atë që gëzojmë sot: shtetin tonë”, thuhet në mesazh.

Don Koliqi theksoi se ky ideal nuk ishte vetëm dëshirë për sovranitet formal, por kërkesë për dinjitet njerëzor, për të drejtën e ekzistencës në gjuhë, kulturë e histori, si dhe për ndërtimin e institucioneve në shërbim të qytetarit.

Duke vlerësuar se 18-vjetori simbolizon pjekurinë e shtetit, ai theksoi se Kosova sot ndodhet përballë një kapitulli të ri përgjegjësie. “Shtetndërtimi është proces i përditshëm: matet me seriozitetin e institucioneve, me drejtësinë funksionale, me arsimin cilësor, me ekonominë që krijon mundësi jetese dhe me administratën që respekton ligjin”, shprehet ai.

Në mesazhin e tij, ai fton qytetarët për angazhim të përgjegjshëm, duke theksuar se liria e fituar me sakrificë kërkon ndërgjegje të lartë publike. “Nuk mjafton të jemi përfitues të shtetit; duhet të jemi ndërtues të tij”, thekson ai, duke shtuar se çdo profesion, shkollë e familje është gur në themelet e së ardhmes.

Një theks i veçantë i kushtohet brezit të ri, i cili, ndonëse nuk ka përjetuar robërinë dhe luftën, mban përgjegjësinë për ndërtimin e një vendi me perspektivë, ku rinia qëndron sepse sheh shpresë dhe dinjitet.

Në përmbyllje, Don Fatmir Koliqi e cilëson 18-vjetorin si ftesë për maturi në vendimmarrje, dialog dhe marrëdhënie me fqinjët e botën, duke theksuar se serioziteti në shtetndërtim është forma më e lartë e mirënjohjes ndaj atyre që sakrifikuan për liri.

“Urime e festofshim për shumë mote!”, përfundon mesazhi i tij.