“Korrupsion pandemik”, Bajrami me akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë Kurti, për siç ka thënë “korrupsion pandemik gjatë periudhës së fushatës zgjedhore më 28 dhjetor”. Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2026, tha se Ministria e Financave “i ka dhënë diskrecion mbretëror” vetes,…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë Kurti, për siç ka thënë “korrupsion pandemik gjatë periudhës së fushatës zgjedhore më 28 dhjetor”.
Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2026, tha se Ministria e Financave “i ka dhënë diskrecion mbretëror” vetes, duke tejkaluar logjikën e rregullimit të Republikës së Kosovës.
“Vetëm gjatë fushatës elektorale, në muajin dhjetor, qeveria ka arritur t’i shpenzojë 240 milionë euro shpenzime kapitale. Merrni me mend fushatën, temperaturat e ulëta. Qeveria arrin me i shpenzu në dhjetor 230 milionë. Çka janë këta? Janë kontrata njëburimore, paradhënie komplet për financim të fushatës elektorale. Janë korrupsion. Sepse i vetmi indikator që në Kosovë, përveç inflacionit që ka pasur ngritje, janë kontratat njëburimore dhe është korrupsioni pandemik qeveritar. Projektligji ka shumë probleme edhe tekstualisht, merreni me mend në nenin 11, në paragrafin 3 dhe 5, ministri i Financave i jep diskrecion vetes thuajse është mbret, dhe jo që jemi Republikë Parlamentare”, tha ajo.
Gjatë seancës, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, propozoi që Kuvendi të shkojë në pauzë pas largimit nga salla plenare të kryeministrit Albin Kurti, mirëpo ajo nuk gjeti pajtueshmëri nga shumica parlamentare, pasi prezent ishte ministri i linjës.