Vuçiq pas takimit me Erdoganin në Ankara: Turqia, një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë për Serbinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar lart takimin e zhvilluar në Ankara me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, duke e cilësuar atë si një bisedë të hapur dhe miqësore. Sipas Vuçiqit, diskutimet janë zhvilluar në frymë mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë. “Kemi pasur një bisedë të sinqertë dhe të hapur, si dy…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar lart takimin e zhvilluar në Ankara me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, duke e cilësuar atë si një bisedë të hapur dhe miqësore.
Sipas Vuçiqit, diskutimet janë zhvilluar në frymë mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë. “Kemi pasur një bisedë të sinqertë dhe të hapur, si dy miq që njihen prej kohësh dhe që kanë respekt shumë të madh për njëri-tjetrin”, është shprehur ai, transmeton lajmi.net.
Në fokus të takimit kanë qenë investimet turke në Serbi, projektet infrastrukturore ku mund të përfshihen kompanitë turke, si dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Vuçiq ka theksuar rëndësinë e shkëmbimit tregtar, duke thënë: “Jam i kënaqur me rritjen e shkëmbimit tregtar midis vendeve tona, gjë që do të thotë shumë për Serbinë, për të cilën Turqia është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë.”
Ai ka falënderuar gjithashtu Ankaranë për mbështetjen në organizimin e EXPO-s, duke theksuar se kjo pjesëmarrje ka peshë të veçantë për Beogradin.
Temë diskutimi ka qenë edhe iniciativa e presidentit turk për krijimin e një platforme paqeje në Ballkan. Vuçiq është shprehur i gatshëm të mbështesë çdo përpjekje në këtë drejtim. “Jam i lumtur t’i përgjigjem çdo thirrjeje për paqe dhe dialog në rajon”, ka deklaruar ai.
Në fund, presidenti serb ka falënderuar Erdoganin për gatishmërinë për të dëgjuar dhe bashkëpunuar. “Ne e respektojmë shumë udhëheqjen tuaj dhe pres me kënaqësi vizitën tuaj të ardhshme në Serbi. Nëse Turqia dhe Serbia bashkëpunojnë mirë në çështje të ndryshme, jam i bindur se mund ta ruajmë paqen në të mirë të të gjithë popujve tanë”, ka shkruar Vuçiq./lajmi.net/