“Nëse do të ketë rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të jetë i njëjtë si çdo herë” – Presidenca kundër rritjes së çmimit të rrymës nga ZRrE

Rritja e çmimit të rrymës që ngreh pas vetes edhe rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve të tjera më pas, po bëhet një vështirësi e madhe për qytetarët e Kosovës. Një rritje e tillë mund të ndodh edhe në pranverë të këtij viti, nëse Zyra e Rregullatorit për Energjinë merr vendim. Rritja e çmimit…

Lajme

05/02/2026 14:20

Rritja e çmimit të rrymës që ngreh pas vetes edhe rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve të tjera më pas, po bëhet një vështirësi e madhe për qytetarët e Kosovës.

Një rritje e tillë mund të ndodh edhe në pranverë të këtij viti, nëse Zyra e Rregullatorit për Energjinë merr vendim.

Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), që kanë dërguar këto kërkesa në Zyrën e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE).

Në lidhje me mundësinë për rritje të tarifave, kundër ka dal e para e shtetit, Vjosa Osmani.

Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina në një përgjigje për lajmi.net. ka thënë se qëndrimi i tyre për rritje të tarifave të rrymës, mbetet i njëjtë.

“Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim”, ka thënë Kupina.

Ai ka thënë se komentet do të dorëzohen sapo të hapet thirrja për komente.

“Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, ka shtuar Kupina në një përgjigje për lajmi.net.

Presidenca kishte kundërshtuar rritjen e tarifave të rrymës edhe vitin e kaluar, kur ZRrE po shqyrtonte rritjen e tarifave për vitin 2025. Në dokumentin e datës 28 mars 2025, Presidenca e Kosovës kishte kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke argumentuar se një vendim i tillë ishte “në kundërshtim me kornizën ligjore” dhe se “injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend”.

Në atë dokument, Presidenca kishte theksuar se ZRrE, sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, kishte obligim parësor mbrojtjen e konsumatorit dhe se rritja e tarifave nuk mund të trajtohet si një zgjidhje e izoluar për problemet strukturore të sektorit energjetik. “Përkrahja e rritjes së çmimit të energjisë si një zgjidhje e parë do të sillte një barrë të madhe për qytetarët”, thuhej në reagim.

Një nga argumentet kryesore të Presidencës lidhej me ndikimin zinxhiror të rritjes së çmimit të energjisë në ekonomi. Dokumenti paralajmëronte se shtrenjtimi i rrymës do të ngriste inflacionin, do të rriste koston e jetesës dhe do të godiste drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht në një periudhë kur çmimet e produkteve bazë tashmë ishin të larta, shkruan lajmi.net.

Sipas të dhënave në dokumentin presidencial, rritja kumulative e tarifave të energjisë në Kosovë në katër vite kishte arritur pothuajse 126 për qind, ndërsa periudhat e rritjeve më të mëdha kishin përkuar me norma të larta inflacioni. Presidenca theksonte se krahasimi i çmimit të energjisë në Kosovë me vendet e rajonit nuk mund të bëhet pa marrë parasysh të ardhurat mesatare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Një tjetër pikë e kundërshtimit ishte mungesa e transparencës nga operatorët energjetikë. Presidenca kishte vënë në dukje se raportet financiare për vitin paraprak nuk ishin publikuar dhe se kjo e bënte të vështirë vlerësimin real të humbjeve dhe kostove që përdoren për të arsyetuar rritjen e tarifave nga KESCO. Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e rritjes së kostove lidhej me dështimin e KEK-ut për të realizuar prodhimin e planifikuar, çka kishte detyruar import më të madh të energjisë me çmime më të larta.

Në vend të rritjes së çmimeve, Presidenca kishte propozuar masa alternative, përfshirë subvencionimin e energjisë për kategoritë më të prekura, kufizimin e humbjeve të lejuara për operatorët, përmirësimin e pagesës së faturave në komunat veriore, reduktimin e përkohshëm të TVSH-së për energjinë elektrike dhe krijimin e skemave për pagesa me këste.

Rritja e mundshme e çmimit të rrymës do të ndikonte drejtpërsëdrejti në ekonomi familjare dhe biznese duke e vështirësuar funksionimin e tyre.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

E në bazë të tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë gjatë një muaji, paguajnë 9.05 centë për kilovatë, kurse ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovatë.

Ndërsa në kuadër të tarifave të lira që shfrytëzohen natën saktësisht nga ora 23:00 deri në ora 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovatë paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovat. E ata që shpenzojnë më shumë paguajnë 7.28 centë për kilovatë.

Letra që Presidentja Osmani kishte dërguar vitin e kaluar: