Çitaku reagon ashpër ndaj ligjëratës së Gjykatës Speciale në shkollë: Përpjekje për indoktrinim dhe rishkrim të historisë
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas publikimit të audio-incizimit ku dëgjohen zyrtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës duke ligjëruar para nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” për aktakuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku ka thënë se ky incizim e shpërfaq “fytyrën…
Lajme
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas publikimit të audio-incizimit ku dëgjohen zyrtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës duke ligjëruar para nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” për aktakuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku ka thënë se ky incizim e shpërfaq “fytyrën dhe misionin e vërtetë të Gjykatës Speciale”, të cilën ajo e cilëson si mekanizëm ku Gjykata dhe Prokuroria veprojnë së bashku jo për vendosjen e drejtësisë, por për “ri-edukimin” e fëmijëve të Kosovës mbi luftën çlirimtare, transmeton lajmi.net.
“Drejtësia vendoset në gjykatore, jo në bankat shkollore. Në momentin kur drejtësia zhvendoset në klasa, ajo pushon së qeni drejtësi dhe shndërrohet në përpjekje për indoktrinim, për shpëlarje truri dhe për rishkrim të historisë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka ngritur shqetësimin se ligjërata është mbajtur pa dijeninë dhe lejen e prindërve, duke e quajtur jashtëzakonisht të rrezikshme ndërhyrjen e zyrtarëve të Speciales në edukimin dhe kujtesën kolektive të fëmijëve.