Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes kërkon ratifikim në Kuvend – Osmani paralajmëron takime informuese me liderët e partive
Pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku morën pjesë edhe udhëheqës të lartë shtetërorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani pritet të thërrasë në takim liderët e partive politike në vend. Në kuadër të forumit në Davos, ku ishin të pranishëm edhe liderë të shumtë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, u nënshkrua Karta…
Lajme
Pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku morën pjesë edhe udhëheqës të lartë shtetërorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani pritet të thërrasë në takim liderët e partive politike në vend.
Në kuadër të forumit në Davos, ku ishin të pranishëm edhe liderë të shumtë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, u nënshkrua Karta e Bordit të Paqes, dokument që u bë një nga temat kryesore të këtij organizimi ndërkombëtar. Nënshkruese e kësaj karte ishte edhe presidentja Osmani.
Sipas shefes së kabinetit të Presidentes, Learta Hollaj, qëllimi i takimeve me liderët politikë do të jetë informimi i tyre rreth përfshirjes së Kosovës në këtë Bord dhe zhvillimeve të ndodhura gjatë qëndrimit në Davos.
“E konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishme që liderët politikë të njoftohen në detaje për gjithçka që është realizuar në fazën përgatitore, për zhvillimet në Davos dhe për hapat që duhet të ndërmarrim së bashku në vazhdim,” ka deklaruar Hollaj për Klan Kosovën.
Ajo ka shtuar se takimet pritet të mbahen në periudhën e ardhshme. “Këto takime pritet të ndodhin në ditët apo javët në vijim. Liderët do të njoftohen me kohë për datën dhe formatin e tyre,” ka theksuar Hollaj.
Ndërkohë, presidentja Osmani ka bërë të ditur se Karta e Bordit të Paqes do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim. Aktualisht, vendi nuk ka një Kuvend funksional, pasi zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor, ndërsa procesi zgjedhor ende nuk është përmbyllur për shkak të rinumërimit të votave, të urdhëruar nga KQZ, pas dyshimeve për falsifikime.
Çka është Bordi i Paqes
Bordi i Paqes do të krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Kartës, Bordi do të drejtohet nga një Kryetar dhe do të ketë dy struktura kryesore vendimmarrëse: Bordin e Shteteve Anëtare dhe Bordin Ekzekutiv. Vendimet do të merren me shumicë votash, por do të kërkojnë konfirmimin e Kryetarit, i cili gëzon edhe të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.
Anëtarësimi i shteteve do të bëhet me ftesë dhe mandat trevjeçar, me mundësi rinovimi. Përjashtim bëjnë shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, për të cilat nuk zbatohet kufiri trevjeçar i mandatit.
Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke përcaktuar se Bordi nuk ka juridiksion brenda territorit të tyre dhe nuk mund t’i detyrojë të marrin pjesë në misione pa pëlqimin e shprehur.
Bordi i Paqes do të financohet përmes kontributeve vullnetare vjetore të shteteve anëtare.
Ndërkohë, organizata dhe personeli i saj do të gëzojnë personalitet juridik ndërkombëtar, si dhe privilegje e imunitete të nevojshme për ushtrimin e funksioneve, të rregulluara përmes marrëveshjeve me shtetet pritëse./lajmi.net/