Kush është Nevica Çepenkoviq, serbja që rrahu dhe torturoi në mënyrë çnjerzore gratë shqiptare në burg të Lipjanit gjatë luftës?

Qelitë e errëta dhe të ftohta të Burgut të Lipjanit, gjatë viteve 1998–1999, ishin vend ku për gratë shqiptare të burgosura nisnin torturat sa herë që hapej dera dhe dëgjohej zhurma e hapave të gardianeve. Sipas dëshmive, torturat kryheshin pa ndërprerë nga gardianja serbe Nevica Çepenkoviq, e cila nuk kursente asnjë grua të burgosur, duke…

Lajme

17/01/2026 21:41

Qelitë e errëta dhe të ftohta të Burgut të Lipjanit, gjatë viteve 1998–1999, ishin vend ku për gratë shqiptare të burgosura nisnin torturat sa herë që hapej dera dhe dëgjohej zhurma e hapave të gardianeve.

Sipas dëshmive, torturat kryheshin pa ndërprerë nga gardianja serbe Nevica Çepenkoviq, e cila nuk kursente asnjë grua të burgosur, duke i rrahur dhe maltretuar vetëm pse ishin shqiptare, raporton Klan Kosova.

Ish-e burgosura Zahrije Podrimqaku ka rrëfyer për dhunën e ushtruar ndaj saj, duke thënë se rrihej me shkop druri deri në alivanosje dhe se keqtrajtohej vazhdimisht.

Torturat e asaj kohe i ka ende të freskëta në kujtime edhe Behare Tafallari, e cila thotë se Çepenkoviqi ishte jashtëzakonisht e pamëshirshme dhe se të burgosurat nuk i shihte si njerëz.

Për këto veprime, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për “Krime lufte kundër popullsisë civile” ndaj Çepenkoviqit, si gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan.

Ajo akuzohet se, në mënyrë sistematike, ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, i ka kanosur për jetë dhe i ka torturuar në mënyrë çnjerëzore me shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Kjo konsiderohet aktakuza e parë e ngritur ndaj një gruaje nga Prokuroria e Republikës.

Veprimi i Prokurorisë, edhe pse i vonshëm, është pritur me gëzim nga ish-të burgosurat. Ato shprehen se vendimi u ka sjellë lehtësim dhe ndjenjë drejtësie.

E dyshuara u arrestua në prill të vitit 2025 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Kosovë.