DnV kërkon rinumërimin e votave për kandidatë në të gjitha vendvotimet: Procesi i numërimit kishte mangësi serioze

Demokracia në Veprim, ka thënë se gjetjet e KQZ-së nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve, e dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur mangësi serioze. Ata kanë thënë se rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, por saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit…

Lajme

13/01/2026 16:38

Demokracia në Veprim, ka thënë se gjetjet e KQZ-së nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve, e dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur mangësi serioze.

Ata kanë thënë se rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, por saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor.

“Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore”, thuhet në reagimin e DnV-së.

Vendimi i sotëm i KQZ-së për të numëruar 100% të vendvotimeve në 10 Komuna dhe 10% në Komunat e tjera, sipas DnV-së është i pamjaftueshëm.

“Rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin. Andaj DnV rekomandon që të ketë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin për të siguruar kredibilitet të procesit dhe besim të publikut në rezultatet zgjedhore. Po ashtu kërkojmë nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimin e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit”, thuhet në reagim.

Demokracia në Veprim ka ritheksuar se qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme.

Sot, KQZ ka marrë vendim që të numërohet 100% i vendvotimeve në 10 Komuna, saktësisht në Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug. /Lajmi.net/ 

Postimi i plotë: