Haxhiu falënderon qytetarët për mbështetjen: Fitorja e VV-së është besim i fuqishëm për të vazhduar punën
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka falënderuar qytetarët pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, duke e cilësuar procesin zgjedhor si dinjitoz dhe mbështetjen ndaj Vetëvendosjes si një besim të fuqishëm. Haxhiu theksoi se fitorja e VV-së me mbi 51 për qind dhe përkrahja e madhe për kryeministrin Albin Kurti janë dëshmi e…
Lajme
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka falënderuar qytetarët pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, duke e cilësuar procesin zgjedhor si dinjitoz dhe mbështetjen ndaj Vetëvendosjes si një besim të fuqishëm.
Haxhiu theksoi se fitorja e VV-së me mbi 51 për qind dhe përkrahja e madhe për kryeministrin Albin Kurti janë dëshmi e besimit qytetar, për të cilin ajo u shpreh mirënjohëse, transmeton lajmi.net.
Ajo shtoi se çdo votë e marrë përfaqëson përgjegjësi dhe obligim për përfaqësim me ndershmëri dhe përulësi.
Duke veçuar mbështetjen për gratë, Haxhiu u shpreh e kënaqur që të gjitha kandidatet e VV-së siguruan mandate pa pasur nevojë për kuotë gjinore, duke e cilësuar këtë si një tregues të vlerësimit të angazhimit dhe përkushtimit të tyre nga qytetarët.
Postimi i plotë:
Pas përfundimit të procesit të numërimit, dua të falënderoj të gjithë qytetarët për një proces zgjedhor dinjitoz dhe për mbështetjen ndaj Lëvizjes.
Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me mbi 51%, si dhe mbështetja e madhe për kryeministrin Kurti, janë besim i fuqishëm, për të cilin ju falënderoj nga zemra.
Çdo votë e marrë është një kujtesë se përfaqësimi nuk është privilegj, por një barrë që duhet mbajtur me ndershmëri, përulësi dhe punë të palodhshme.
Dua po ashtu të falënderoj qytetarët që u dhanë mbështetje grave. Më gëzon fakti që të gjitha gratë e listës sonë e kanë fituar mandatin pa pasur nevojë për kuotën gjinore. Pra, qytetarët panë angazhimin, seriozitetin dhe përkushtimin e tyre. Ky besim është një shenjë e bukur se shoqëria jonë di ta njohë vlerën aty ku ajo ekziston. Në këtë drejtim, duke mos harruar asnjëherë besimin dhe përgjegjësinë që kam, i falënderoj qytetarët për mbështetjen që ma dhanë.
Faleminderit nga zemra për besimin. Ju jemi mirënjohës dhe nuk do të ndalemi derisa ta bëjmë Kosovën vendin që duam
./lajmi.net/