Hoxhaj: Qëndrimet e Ficos janë problematike për BE-në dhe Kosovën
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, duke e akuzuar për përhapje të narrativave të Moskës dhe për mbrojtje indirekte të agresionit rus ndaj Ukrainës. Në një postim në rrjetin social X, Hoxhaj tha se Fico nuk mund të konsiderohet neutral, duke…
Lajme
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, duke e akuzuar për përhapje të narrativave të Moskës dhe për mbrojtje indirekte të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxhaj tha se Fico nuk mund të konsiderohet neutral, duke e cilësuar atë si “një rele të Kremlinit brenda Bashkimit Evropian”, çka sipas tij e vë seriozisht në pikëpyetje kredibilitetin e kryeministrit sllovak kur flet për të drejtën ndërkombëtare.
Ai theksoi se është veçanërisht shqetësuese që brenda BE-së vazhdon të tolerohet ky rreshtim politik, përfshirë edhe qëndrimet e pesë vendeve anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Një i ashtuquajtur mbrojtës i ‘ligjit ndërkombëtar’, që përsërit narrativat e Moskës dhe i del në mbrojtje luftës së Putinit, sot mban leksione për ligjshmërinë. Robert Fico nuk është neutral; ai është një rele e Kremlinit brenda BE-së. Ajo që është edhe më shqetësuese është se shumë brenda Bashkimit Evropian vazhdojnë ta tolerojnë këtë qasje, përfshirë edhe qëndrimin e pesëshes së BE-së ndaj Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.
Reagimi i tij vjen pas deklaratave të kryeministrit sllovak, i cili kritikoi përdorimin e forcës ushtarake pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe krahasoi situatën në Venezuelë me raste të tjera ndërkombëtare, përfshirë Kosovën, Ukrainën dhe Gazën, duke akuzuar BE-në për standarde të dyfishta.
Robert Fico njihet për qëndrimet e tij proruse dhe konsiderohet një nga faktorët kryesorë pse Sllovakia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. /Lajmi.net/
