Paralajmërimi i Krishtlindjeve 2.0
Shkruan: Arben Fetoshi Ashtu si Millosheviqi në vitet 1998-1999, që refuzonte marrëveshjet dhe paralajmërimet ndërkombëtare duke e “detyruar” botën të reagojë me “Forcën e Bashkuar” të NATO-s (Allied Force, 1999), edhe ish-ministri i tij i Informatave, Aleksandër Vuçiq, sot vazhdon t’i shmangë kërkesat për përgjegjësi dhe sjellje konstruktive lidhur me ndërhyrjet destabilizuese ndaj Kosovës. Serbia…
Opinion
Shkruan: Arben Fetoshi
Ashtu si Millosheviqi në vitet 1998-1999, që refuzonte marrëveshjet dhe paralajmërimet ndërkombëtare duke e “detyruar” botën të reagojë me “Forcën e Bashkuar” të NATO-s (Allied Force, 1999), edhe ish-ministri i tij i Informatave, Aleksandër Vuçiq, sot vazhdon t’i shmangë kërkesat për përgjegjësi dhe sjellje konstruktive lidhur me ndërhyrjet destabilizuese ndaj Kosovës. Serbia po vazhdon me politikën e “dy karrigeve” (Bieber, 2018), duke përfituar nga procesi i integrimit evropian në njërën anë dhe duke e thelluar rreshtimin strategjik me Rusinë e Kinën, në anën tjetër. Përmes strategjisë që kombinon “viktimizimin” për mashtrim, agresionin si “reagim qytetar” dhe sulmet përmes “false flag” (sulmo dhe fajëso), ajo është rikthyer në burimin kryesor të destabilizimit, duke aplikuar doktrinën e Putinit si një “mundësi” për realizimin e “Botës Serbe”.
Njeriu që sot po hetohet për “Sarajeva Safari” dhe dikur deklaronte se për çdo serb të vrarë do të vriteshin 100 myslimanë, është dishepulli finok i ideologjisë serbomadhe që vazhdon të përfitojë, si nga Brukseli, ashtu edhe nga Rusia e Kina. Sfida perëndimore me fillimin e agresionit rus në Ukrainë, i dha Vuçiqit një “mirëkuptim” të stërzgjatur në lojën e tij perfide të destabilizimit. Sulmi në Banjskë, sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, fushatat e dezinformimit, instrumentalizimi i qytetarëve të komunitetit serb, ndërhyrjet në zgjedhje dhe aktivitete të tjera hibride kundër rendit kushtetues në Kosovë, tregojnë qartë për strategjinë destabilizuese të Serbisë dhe largimin gjithnjë më të madh nga vlerat dhe kriteret euro-integruese. Ndërhyrjet e tilla minuese jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje-Hercegovinë e Mal të Zi, si dhe refuzimi për ta harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së pas fillimit të luftës në Ukrainë, e konfirmojnë Serbinë si “zgjatim” të politikës ruse, të hapur po ashtu ndaj depërtimit kinez në Ballkanin Perëndimor. Ekspertiza e FBI-së e demaskoi taktikën “false flag” në sulmin e Varragës, duke e bërë më të qartë për komunitetin ndërkombëtar hipokrizinë e “viktimizimit”. Mirëpo, kjo qartësi e përkthyer në kërkesa, vërejtje apo qortime ndërkombëtare, si ajo e BE-së për Radoiçiqin, e shefit të NATO-s për Banjskën, e Kongresit amerikan për tensionet e vazhdueshme e të tjera, nuk është mesazhi që e kupton Serbia. Ashtu si dikur Millosheviqi, as Vuçiqi nuk “dëgjon” pa i ndjerë në kurriz masat konkrete ndëshkuese.
Paralajmërimi i Presidentit George H. W. Bush (Christmas Warning, 1992) ndaj Millosheviqit me “vijën e kuqe” në Kosovë, ishte mesazhi që vërtetoi konsistencën amerikane shtatë vjet më pas (1999), i cili është kodifikuar sot me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA). Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbrojnë Kosovën si prioritet strategjik të sigurisë, garantojnë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe përcaktojnë rrugën e normalizimit Kosovë-Serbi me njohje reciproke. Një hap vendimtar që ia “shuan shpresat” Vuçiqit lidhur me qëndrimin e presidentit Trump, manovrimin e mëtejshëm diplomatik përmes “viktimizimit” apo “destabilizimit” dhe kalkulimin strategjik nga rreshtimi me Rusinë e Kinën. Ligji që autorizon masa ndëshkuese, sanksione financiare dhe kufizime të tjera ndaj kujtdo që kërcënon paqen dhe stabilitetin në Ballkan, e sanksionon njohjen reciproke si epilog të dialogut, përjashton çdo skenar për ndarje territoriale apo rikonfigurim të kufijve, mbështet procesin e integrimit euro-atlantik dhe kundërshton ndikimin rus e kinez në rajon. Vendosmëria amerikane kundër kërcënimeve hibride dhe agjendës ruse në Ballkan është manifestuar ditë më parë edhe me sanksionet ndaj kompanisë serbe të naftës NIS në pronësi ruse (mbi 56 përqind të aksioneve). Prandaj, vetëm një qasje e tillë serioze, e ndjekur si model edhe nga Bashkimin Evropian, do të siguronte efektin e “bombave”, për ta ndalur Serbinë dhe për ta frenuar influencën ruso-kineze në Ballkanin Perëndimor.
Historia ka treguar se Serbia “kupton” vetëm kur presioni ndërkombëtar kthehet në veprime konkrete. Hipokrizia e saj strategjike me integrimin evropian, e konfirmuar nga refuzimi për harmonizimin e politikës së jashtme (Rezoluta e Parlamentit Evropian), shfaqet hapur edhe në deklaratat e zyrtarëve. Për shembull, “partneriteti” i pretenduar nga ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, gjatë takimit me komisionerin evropian, Magnus Brunner në Sarajevë, demaskohet vetëm pak ditë më pas nga vetë ai me reagimin ndaj vlerësimit të BE-së se “Serbia po i shkel obligimet e saj nga dialogu me kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL” (Koha, 26.11.2025). Një qëndrim i tillë tregon se “partneriteti evropian” për Serbinë vlen vetëm kur ajo i jep miliona euro për procesin e integrimit dhe i “subordinohet” interesave të saj hegjemoniste. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian duhet të sinkronizohet me praktikën amerikane, duke ndërmarrë hapa konkret për masa dhe sanksione që e kushtëzojnë Serbinë në zbatim të detyrimeve, siç janë:
– Pezullimi i negociatave të anëtarësimit;
– Pezullimi i Fondeve të IPA III, duke përfshirë edhe Fondin e Rritjes;
– Sanksionimi i individëve, kompanive e rrjeteve destabilizuese, etj.
Vetëm gjatë periudhës 2021-2024, BE-ja ka alokuar mbi 872 milion euro grante për Serbinë në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA III). Ndërkaq, sipas planit me “Fondin e Rritjes”, është paraparë që ajo të përfitojë deri në 1.6 miliard euro grante dhe hua të buta. Pra, vetëm një qasje e re evropiane, duke i kthyer kërkesat dhe qortimet në masa ndëshkuese ndaj Serbisë, është gjuha që neutralizon kërcënimet revizioniste dhe anti-perëndimore në Ballkan.
(Autori është Drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”)