​KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues, prej tyre 15 organizata

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar grupin e tretë të vëzhguesve prej 276 vëzhguesve të tjerë për zgjedhjeve e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në mbledhjen e sotme, kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së Besnik Buzhala ka bërë të ditur se janë akredituar gjithsej 15 organizata, raporton KosovaPress. “Në grupin e tretë të organizatave nga KQZ,…

Lajme

19/12/2025 15:19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar grupin e tretë të vëzhguesve prej 276 vëzhguesve të tjerë për zgjedhjeve e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në mbledhjen e sotme, kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së Besnik Buzhala ka bërë të ditur se janë akredituar gjithsej 15 organizata, raporton KosovaPress.

“Në grupin e tretë të organizatave nga KQZ, u akredituan gjithsejtë 15 organizata, me numrin 276 vëzhgues”, ka thënë ai.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani është 862 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore/ ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

Në mbledhjen e sotme, KQZ mori po ashtu vendim për caktimin e menaxherëve të Qendrave të Votimit jashtë Kosovës dhe autorizimin e stafit për tërheqjen e dërgesave nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe stafit për asistim në procesin zgjedhor.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi tha se ka rritje të përfshirjes së grave në këshillat e vendvotimit.

“Ne kemi pranuar një raport nga departamenti operacioneve të zgjedhjeve dhe në bazë të raportit, po i përmendi dy specifika që janë të rëndësishme për t’i trajtuar si pjesë e këtij prezantimi, e para është që kësaj radhe ka një ngritje apo përmirësim sa i përket përfaqësimit gjinor dhe rritje të përfshirjes së grave në këto këshilla, dhe kjo është edhe sipas komunave ku del që është më mirë prezantimi por edhe sipas subjekteve natyrisht ka një ngritje në këtë nivel, për çka është për t’u vlerësuar. Gjithashtu, fakti që ankesat që janë në drejtim ndaj vendimit të PZAP-së kanë qenë 11 ankesa në PZAP sa i përket përfaqësimit të subjekteve politike në këto këshilla dhe të gjitha PZAP i ka kthyer, pra ka marrë vendim që t’i refuzojë me faktin që vendimi i KQZ-së ka qenë i drejtë”, tha Krasniqi.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 28 dhjetor. Numri i përgjithshëm i shtetasve me të drejtë vote është 2,076,290. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1,999,205, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085.