Pensionistët kërkojnë heqjen e plotë të obligimit për paraqitje fizike

Shoqata e Pensionistëve ka kërkuar shfuqizimin e plotë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave, i cili obligon pensionistët të paraqiten fizikisht çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që të vazhdojnë marrjen e pensioneve. Një ditë më parë, Gjykata Supreme ka anuluar vetëm pjesën që obligon paraqitjen fizike për pensionistët…

Lajme

18/12/2025 13:01

Shoqata e Pensionistëve ka kërkuar shfuqizimin e plotë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave, i cili obligon pensionistët të paraqiten fizikisht çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që të vazhdojnë marrjen e pensioneve. Një ditë më parë, Gjykata Supreme ka anuluar vetëm pjesën që obligon paraqitjen fizike për pensionistët kontributdhënës, por jo edhe për kategoritë e tjera.

Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Financave, që i detyron pensionistët të paraqiten fizikisht në Departamentin e Pensioneve, është shfuqizuar vetëm pjesërisht nga Gjykata Supreme. Vendimi anulon obligimin e paraqitjes çdo gjashtë muaj vetëm për pensionistët kontributdhënës, ndërsa pensionistët që marrin pension bazë dhe pension parakohshëm vazhdojnë të jenë të obliguar të paraqiten.

Halili Halili, pensionist 93-vjeçar që përfiton pensionin bazë, ka treguar për Radio Kosovën për procesin e vështirë të paraqitjes fizike për të dëshmuar se është gjallë.

“I kam 93 vjet. Çdo gjashtë muaj shkoj të lajmërohem për pension, por kjo është krejtësisht e panevojshme. Kur njeriu vdes, bëhet raport mjekësor dhe informata i përcillet automatikisht Ministrisë së Financave. Kjo është keqtrajtim i pensionistëve”, ka thënë ai.

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, i ka thënë Radio Kosovës se vendimi i Gjykatës Supreme është i padrejtë, pasi nuk i përfshin të gjitha kategoritë e pensionistëve.

“Nuk është bërë shfuqizimi për të gjitha kategoritë e pensionistëve, por vetëm për disa prej tyre”, ka deklaruar Kastrati.

Ai ka theksuar se obligimi për paraqitje fizike çdo gjashtë muaj është hequr vetëm për pensionistët kontributdhënës, ndërsa pensionistët bazikë dhe ata të parakohshëm vazhdojnë të jenë të detyruar të paraqiten. “Kjo do të thotë se vendimi nuk është shfuqizuar për të gjithë pensionistët. Është për keqardhje që nuk është trajtuar në tërësi”, ka shtuar ai.

Kastrati ka bërë të ditur se Shoqata e Pensionistëve është në proces gjyqësor edhe për kategoritë e tjera, me qëllim të largimit të këtij obligimi.

“E kemi edhe një padi në Gjykatën Supreme që të ndërpritet paraqitja fizike në zyrat e pensioneve edhe për kategoritë e tjera të pensionistëve. Shpresojmë që edhe ato të lirohen nga ky obligim”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikena Hoxha, ka thënë për Radio Kosovën se ndarja e pensionistëve në kategori për sa i përket paraqitjes fizike përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

“Sipas meje, ajo që ka ndodhur deri më tani është shkelje e të drejtave të njeriut dhe ky udhëzim nuk është dashur asnjëherë të hyjë në fuqi, pasi ka detyruar të moshuarit të paraqiten çdo gjashtë muaj”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka vlerësuar se anulimi i obligimit vetëm për disa kategori të pensionistëve përbën sërish shkelje të të drejtave të njeriut.

Radio Kosova ka kontaktuar Ministrinë e Financave për sqarime lidhur me mënyrën e verifikimit të pensionistëve kontributdhënës pas vendimit të Gjykatës Supreme dhe për mundësinë e lehtësimeve edhe për kategoritë e tjera, por deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.