Edi Rama niset drejt Hagës: Do ta takoj Hashim Thaçin që po mbahet peng padrejtësisht
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është nisur drejt Hagës për të takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Lajmin Rama e ka bërë publik përmes një video-live nga Brukseli. Gjatë deklarimit të tij, Rama ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si, sipas tij, po funksionon drejtësia ndërkombëtare ndaj ish-udhëheqësve…
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është nisur drejt Hagës për të takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Lajmin Rama e ka bërë publik përmes një video-live nga Brukseli.
Gjatë deklarimit të tij, Rama ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si, sipas tij, po funksionon drejtësia ndërkombëtare ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka theksuar se procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij është larg standardeve demokratike dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Sipas Ramës, çdo vendim i ardhshëm duhet të reflektojë standarde të larta demokratike dhe të ruajë integritetin e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë. Ai ka nënvizuar se mbështetja ndaj Hashim Thaçit përbën një qëndrim të qartë të Shqipërisë në mbrojtje të drejtësisë dhe demokracisë.
“Jam rrugës për në Hagë ku do të takoj, pas disa kohësh nga takimi i mëparshëm, komandantin e UÇK-së dhe presidentin e Kosovës, i cili u mor nga zyra e tij dhe mbahet prej vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare. Për turpin e madh të atyre që sponsorizojnë këtë lloj drejtësie, shkeljet e standardeve, të të drejtave të njeriut dhe të procesit të rregullt ligjor janë kthyer në normë,” ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se, sipas tij, ende pa u dhënë një vendim, një president i zgjedhur në mënyrë demokratike, së bashku me tre ish-bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së që kanë ushtruar detyra të rëndësishme institucionale në Kosovë, vazhdojnë të mbahen të izoluar.
Vizita e Ramës në Hagë vjen në një kohë kur proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë të jenë temë debati dhe reagimesh të shumta në Shqipëri dhe Kosovë.
Ai ka shtuar se tani që ka mbaruar ekspozeja e pseudoprovave të akuzës dhe që ka mbaruar parada e dëshmitarëve qesharakë të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare nga akuza, si dhe kanë mbaruar dhe dëshmitë tjera serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes, pritet vendimi.
“Uroj dhe shpreh që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perde së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtare dhe daljes nga izolimi brutal i Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Uroj që vendet demokratike që sponsorizojnë këtë gjykatë të reflektojnë mbi standardet e ulta, mbi nivelin poshtë vijave të kuqe të drejtësisë dhe demokracisë. Kjo është ajo që prej vitesh po ndodh me njerëz të cilët të vetmin faj kanë se u rebeluan ndaj një regjimi, të vetmin faj që morën armët për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre njerëzor, të drejtën e tyre të pamohueshme për të jetuar si njerëz të barabartë në këtë tokë, nën të njëjtin diell, dhe jo si një grup social i përndjekur për shkak të etnisë së vet në një diktaturë”, u shpreh kryeministri Rama.
“Një çekic absurd i drejtësisë ndërkombëtare ka lënë kokrrën e namit kur i themi ne shqip: fare du ate. Besoj se drejta do të fitojë, dhe këtu nuk ka dy apo tre të drejta, ka vetëm një të drejtë dhe është e drejta e bekuar përjetësisht me gjakun e heronjve, martirëve, dhimbjen e patregueshme të nënave, motrave, grave dhe vajzave të përndjekura e të sakatuara gjatë një periudhe nga më të zymtat për vetë Europën, në zemër të Europës”, tha ai /Lajmi.net/