Lidhja e Bizneseve: Rritja e çmimit të ujit dhe e tatimit në pronë, goditje fatale për bizneset dhe qytetarët

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësim të thellë lidhur me paralajmërimet për rritjen e tarifave të shërbimeve të ujit dhe rritjen e tatimit në pronë, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2026. Sipas Lidhjes së Bizneve këto vendime përbëjnë një barrë të rëndë financiare për qytetarët dhe, në mënyrë të…

Lajme

16/12/2025 11:55

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësim të thellë lidhur me paralajmërimet për rritjen e tarifave të shërbimeve të ujit dhe rritjen e tatimit në pronë, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2026.

Sipas Lidhjes së Bizneve këto vendime përbëjnë një barrë të rëndë financiare për qytetarët dhe, në mënyrë të veçantë, për bizneset, duke rritur ndjeshëm kostot operative dhe duke cenuar konkurrueshmërinë, investimet dhe punësimin.

Sipas propozimeve të kompanive rajonale të ujësjellësit, rritja e tarifave të ujit mund të arrijë deri në 40%, çka do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe serioz në buxhetin familjar dhe në veprimtarinë e bizneseve. Kjo ndodh në një periudhë kur ekonomia e vendit tashmë po përballet me rritje të çmimeve të energjisë elektrike, inflacion, pasiguri ekonomike dhe presion të vazhdueshëm financiar.

LBK-ja e kupton nevojën për investime në infrastrukturë, përmirësim të shërbimeve dhe përballim të kostove të energjisë, por thekson se kjo barrë nuk mund të bartet në mënyrë të njëanshme mbi konsumatorët dhe sektorin privat, pa transparencë të plotë, pa analiza të detajuara të kostove dhe pa shterur më parë alternativat e tjera.

Në këtë kontekst, LBK-ja kërkon nga Autoriteti Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU) që:

• të përfshijë përfaqësuesit e bizneseve dhe shoqërinë civile në procesin e vendimmarrjes;
• të vlerësojë me kujdes ndikimin ekonomik dhe social të rritjes së tarifave;
• të shqyrtojë rritje graduale, të diferencuara ose masa lehtësuese, në vend të rritjeve të menjëhershme dhe të larta.

Po ashtu, LBK-ja i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të analizojë këtë situatë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të marrë masa për të mos rënduar më tej sektorin privat, i cili mbetet shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe të hyrave buxhetore të vendit.