E kaluara, më e pasigurt se e ardhmja
Shkruan: Ben Andoni Në një trajtesë normale ose më saktë në vende ku funksionojnë shtetet institucionet kanë bërë\jnë punën e tyre dhe regjimet ekonomike-shoqërore ia kanë lënë vendin njëra-tjetrës përmes një logjike (qoftë dhe të ashpër), e kaluara është e trajtuar thellësisht, ndërsa me të tashmen merren me kujdes dhe, nga mësimet e këtyre dy…
Opinion
Shkruan: Ben Andoni
Në një trajtesë normale ose më saktë në vende ku funksionojnë shtetet institucionet kanë bërë\jnë punën e tyre dhe regjimet ekonomike-shoqërore ia kanë lënë vendin njëra-tjetrës përmes një logjike (qoftë dhe të ashpër), e kaluara është e trajtuar thellësisht, ndërsa me të tashmen merren me kujdes dhe, nga mësimet e këtyre dy kategorive flitet dhe mendohet për të ardhmen. Kuptohet se e ardhmja është e paditur, ngaqë askush nuk e di se çfarë do ndodhë. Por në Ballkan: Shqipëria dhe Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, madje edhe Kroacia e Sllovenia i lidh një gjë e përbashkët: Historia e rajonit është rishkruar, botuar sipas interesave të grupeve të ndryshme dhe shpesh ka pasur ndërprerje. Historia jonë është një shembull i tillë, pasi nuk kemi ende një datë të përcaktuar për mbylljen apo për karakterin e Antifashizmit; nuk kemi bërë dot një shikim të thellë për arritjet dhe dëmet që bënë koha e Presidencës dhe Monarkisë Zogut I; Rolin e Fuqive të Huaja dhe vetë Perandorisë Otomane për Pavarësinë; ose atë që ka ndodhur në Socializëm me ringritjen e vendit të shkatërruar dhe rolin e komunistëve dhe, mbi të gjitha çdo tekst ose narracion që krijohet goditet nga një tjetër. Në hapësirat shqiptare kjo është deri diku e arsyeshme prej lëvizjes së kufijve dhe duke vazhduar me identitetin e dyzuar nën perandoritë e mundura (Osmanët, Italianët, Austro-Hungarezët) mes të tjerëve. Vijohet me ndarjet e ashpra tek ne: Çka është hero\inë për “të Majtët” është automatikisht armik\e për “Të Djathtët”; periudhat e gjata, ku pushtetet u munduan të fshinin gjithçka dhe përjetohej censura e autocensura e frikshme dhe trauma të ndryshme. Shqiptari i rritur mban mënd përkushtimet dhe aksionet sfilitëse, vrullin e për besimin utopik, por edhe kampet e internimit, burgjet dhe pushkatimet, si edhe ndjekjen e frikshme dhe ngritjen e një sistemi haluçinant ku të gjithë përgjonin të gjithë. Këtë përplasje e ndjen ende në panelet mediatike, ku historinë, madje edhe të atyre që punojnë në të njëjtin institucion e rrëfejnë me narrativa të ndryshme historike dhe mbahen qëndrime jo të njëjta.
Kujtesa e munguar dhe shpesh e përfolur e të shkuarës e ka bërë shoqërinë shqiptare që dikur të mohonte deri të afërmit, të cilët kishin pasur ndonjë histori jo aq të dëshiruar, fakt që shkon dhe sot. Në pak raste dëshmitarët historikë janë treguar fair me kujtesat e tyre për të mos thënë që shumë kanë fshehur të vërteta që mbase nuk do t’i mësojmë kurrë. Historia zyrtare është përdorur për t’i mobilizuar fashat e popullsisë që janë të interesuar me narrativat e tyre, për të ndërtuar deri mitologji kombëtare dhe çka donte turma për miqtë dhe armiqtë.
“E kaluara” jonë nuk lidhet vetëm me faktin e ndryshimeve të befta apo se njerëzit nuk kujtojnë, por në faktin se shumë gjëra na fshihen ende sot, ashtu si shumë të tjera “neglizhohen”. Me një stratigrafi të kujdesshme shikohet se Kujtesa shqiptare është tejet e shtresëzuar dhe tejet e dhimbshme dhe e shkuara tek ne është krejt e paqartë, madje shumë më tepër sesa e ardhmja.
Në Kosovë prej kësaj paqartësie dhe sidomos protagonizmit fals, po kalohet në një narrativë tjetër për luftën e UÇK-së dhe karakterit të identitetit të komandantëve dhe njësive të saj. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë shikon atë që lidhet me punën dhe rrugën që zgjodhi ish-presidenti Rugova dhe që përbën një temë sfiduese. E sa për Shqipërinë paradokset e të shkuarës nuk mbarojnë. Tre herë u ngrit flamuri ceremonialisht në Bashkinë ë Tiranës në ditët e nëntorit, sepse njerëzit e sotëm nuk e kuptojnë hierarkinë e aktiviteteve dhe prioritetin e nderimit sublim të Pavarësisë. Mos të shkojmë më me debatin shterpë të Luftës së Dytë dhe sidomos të Socializmit, ku shumë protagonistë janë gjallë (madje disa të kameleonizuar) dhe është problem të tregohen të vërteta dhe i gjithë mekanizmi i inxhinierisë sociale që shpëlau trutë e njerëzve. Por edhe më afër fare: Po harrohen mekanizmat për Skemat Piramidale dhe vitet e mbrapshta 1997- 1998. Nuk kujtohen më tek PD-ja se çfarë bënë më 8 Janar 2002, ashtu si nuk nxirret mësim nga bojkotet dhe mënyra sesi e kanë katandisur të Djathtët partinë e tyre, gati pa anëtarë të Djathtë. Më e keqja është pak më tej, kur narracioni i Berishës vazhdon sikur të mos ketë ndodhur gjë dhe lë të kuptohet se: I takon vendi i kryetarit dhe kush guxojë le të kandidojë përballë tij. Ashtu si nga ana tjetër, në Partinë e kthyer në detashment ushtarak, Rama që vazhdon të thotë se: “Nuk jemi më të mirët por më të mirë se ne nuk ka…Dhe, se do iki nga pushteti kur të dua unë”…
Në dallim me ne për të shkuarën, Perëndimi vazhdoi logjikën normale të shtetit me institucionet; arkivat nuk u prekën, ndërsa tonat janë dëmtuar dhe këtë e shikon tek “Spiunët”; narrativa e Perëndimit ishte e bëhet thjesht mbivendosëse dhe folën hapur për të kaluarën dhe të gjithë problematikën e tyre, vërtetë me dhimbje por hapur dhe duke bërë dhe Mea Culpa.
Duke mos shkuar thellë në të shkuarën, pasi nuk qasemi dot demokratikisht, duket se po përsëriten gjëra dhe përçarje të PD-ja që duken se kanë ndodhur dhe më parë. Në një shembull të ngjashëm, dikur të ngjashmit në Socializëm, shkonin deri në fate tragjike. Apo Socialistët me përqendrimin e pushtetit dhe marrinë për të mbajtur gjithçka, e duke pritur me klientelizmin, nepotizmin dhe fjalën e Njëshit për të strukturuar një shtet që tashmë vuan një eksod të heshtur me qindra mijërash shqiptarësh në dekadën e fundit! Kur shikojmë që nuk e njohim të shkuarën të duket se e shkuara jonë nuk ka ardhur ende. Ajo e ka bllokuar tërësinë e shoqërisë shqiptare dhe dëshirën për t’u ngritur dhe për të bërë shqyrtime për të ardhmen e saj, mbetur me zor në shfaqjen e cirkut Rama-Berisha. Nga ana tjetër, shoqëria nuk mendon më dot për të ardhmen, sepse i duhet të meremetojë apo të ndihë të shkuarën e saj. Dhe, politikanët tanë veç po përpiqen të ndryshojnë diçka që në fakt ka mbaruar prej kohësh. Në dukje, si populistë, identifikohen me pathos si identikiti i popullit. Rama e bën këtë në fushata zgjedhore, duke imituar dikur uljen gju me gju të Hoxhës, kurse Berisha me një vëmendje filozofike sikur i dëgjon dhe zbaton ato që i thonë njerëzit e vet në Foltoret e shumta. Motoja “Më jep pushtetin”, është ajo që i bashkon dhe që i fryn debatet false të politikës. Po shqiptarët ku ndodhen në këtë paradoks të së kaluarës? Janë të gëzuar se lënë të tjerët të mendojnë, të zgjedhin dhe të mbajnë përgjegjësi për ta. Kjo është gracka e bukur e totalitarizmit, që me kalimin e kohës e ka ngritur bazën e konsoliduar sociopsikologjike në mendjet tona. Dhe, kjo e arsyeton kthimin e tyre dhe faktin që kemi të njëjtët personazhe, në frekuenca kohore të gjata. Ky lloj totalitarizmi shqiptar s’është irracional, e megjithatë gëzon themele të forta shoqërore!!
Kjo të vjen ndërmend në ngrysje të vitit të vështirë 2025, kur e kaluara jonë është edhe më e paqartë sesa e ardhmja, e ndërprerë, e nëpërkëmbur, e censuruar sot dhe dje dhe politikisht e paqëndrueshme… për fatin e politikanëve tanë që u intereson e tillë.