Paralajmëron eksperti amerikan, Kupchan: Marrëdhëniet Kosovë–ShBA në një pikë të ulët

Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, ka ngritur shqetësime për raportet politike mes qeverisë Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kupchan vlerëson se me pezullimin e dialogut strategjik është shënuar një pikë e re e ulët e marrëdhënieve mes të dyja vendeve. “Mendoj se mund të thuhet që marrëdhëniet mes…

Lajme

05/12/2025 21:02

Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, ka ngritur shqetësime për raportet politike mes qeverisë Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kupchan vlerëson se me pezullimin e dialogut strategjik është shënuar një pikë e re e ulët e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

“Mendoj se mund të thuhet që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në një pikë të re të ulët, që nga pavarësia e vendit. Nuk mund të kujtoj një kohë kur marrëdhënia mes Uashingtonit dhe Prishtinës ka qenë kaq e tensionuar. Kjo lidhet me administratën Biden, kur Uashingtoni ndiente se Kurti po ndërmerrte hapa që ishin të panevojshëm dhe provokues. Administrata Trump ka pasur të njëjtin qëndrim si administrata Biden, se qeveria në Prishtinë nuk po avancon në dialogun me Beogradin. Kjo pakënaqësi u shpreh përmes ndërprerjes së dialogut strategjik me Kosovën para disa muajsh”, deklaroi ai për Tëvë1.

Ai vlerëson se Kurti ka bindje të forta politike dhe se është i gatshëm të përballet me veprime që ai i ndërmerr e që i vlerëson se janë të drejta dhe në të mirën e Kosovës.

“Ai është njeri me bindje të forta. Ai beson fuqishëm në vendimet dhe qasjen e tij, dhe është i gatshëm t’u qëndrojë atyre. Qoftë çështja e targave, qoftë çështja e mbylljes së institucioneve paralele, apo vendosja e kryetarëve në veri të zgjedhur nga një përqindje shumë e vogël e popullsisë — këto veprime mund të forcojnë imazhin e një lideri të vendosur, të fortë, që i qëndron kundër presionit ndërkombëtar”, vlerësoi Kupchan.

Tutje, eksperti amerikan thotë se çështja Kosovë–Serbi është në radarin e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Mendoj se përgjigjja është po. Kjo sepse Trump e sheh veten si paqebërës dhe negociator të aftë. Ai ka shtyrë përpara armëpushimin mes Gazës, Hamasit dhe Izraelit. Vazhdon përpjekjet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Ka sjellë liderë të ndryshëm në Shtëpinë e Bardhë për t’i inkurajuar të punojnë për paqe. Çështja Kosovë–Serbi është në radar të tij; ai e ka përmendur disa herë. Me tri vjet që i kanë mbetur mandatit të dytë të Trumpit, në një moment ai do të angazhohet personalisht për të tentuar të ndërmjetësojë paqen mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Së fundmi, kryetari republikan i nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.