Protestë sot në Strasburg kundër procesit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Sot në Strasburg pritet të zhvillohet një protestë kundër procesit gjyqësor që po mbahet në Hagë nga Gjykata Speciale ndaj ish-luftëtarëve të lirisë dhe ish-drejtuesve të Republikës së Kosovës. Këshilli Koordinues i Shoqatave të dalura nga Lëvizja dhe Lufta Çlirimtare e Popullit Shqiptar ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në protestën e 16 nëntorit…
Lajme
Sot në Strasburg pritet të zhvillohet një protestë kundër procesit gjyqësor që po mbahet në Hagë nga Gjykata Speciale ndaj ish-luftëtarëve të lirisë dhe ish-drejtuesve të Republikës së Kosovës.
Këshilli Koordinues i Shoqatave të dalura nga Lëvizja dhe Lufta Çlirimtare e Popullit Shqiptar ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në protestën e 16 nëntorit 2025, duke e cilësuar procesin gjyqësor si “të padrejtë dhe politik”, transmeton lajmi.net.
Sipas organizatorëve, veprimtaria e Gjykatës Speciale ka marrë “karakter të njëanshëm dhe selektiv”, pasi – siç vlerësojnë ata – në vend që të dënojë krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia ndaj popullit shqiptar, po përqendrohet në ndëshkimin e atyre që morën pjesë në Luftën Çlirimtare të Kosovës.
“Në vend që të ndëshkojë krimet e pushtuesit serb, kjo gjykatë është shndërruar në një proces politik kundër vetë Luftës Çlirimtare të Kosovës, një luftë e drejtë dhe mbrojtëse, e mbështetur nga Shqipëria, NATO dhe vendet demokratike”, thuhet në komunikatën e shoqatave organizatore.
Protesta pritet të mbledhë qytetarë nga komuniteti shqiptar në Evropë, të cilët synojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre me mënyrën se si po trajtohet rasti në Hagë./lajmi.net/